Sali Berisha: Dora e zezë e Ramës qëndron pas arrestimit të Veliaj

Përkufizimi si “kukull e George Soros” që Chris Lacivita i bëri Kryeministrit Rama, sipas Sali Berishës nuk janë deklarata individuale, por mesazhe politike që vijnë nga konsulenti i Donald Trump, i cili tani do të drejtojë fushatën e partisë Demokratike.

Marketing

“Erdhi këtu për të vazhduar betejën që fitoi në SHBA, kundër Sorosit dhe ekstremit të majtë të tij. Pra, ishte një akt kryekëput politik pasi i prenë kokën gjarprit në Uashington, duhet t’ia presin tentakulat kudo, dhe në Shqipëri ato ishin dhe janë më të zhvilluara se në asnjë vend tjetër”, tha Berisha.

Shpërthimi i kreut të qeverisë gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Berisha thotë se erdhi pikërisht për shkak të pranisë së Chris LaCivita krah Partisë Demokratike.

“Unë e pashë sot Edi Ramën siç e patë ju, kur i erdhi në gojë fjala e konsulentit, që këtë e quante punëtor i Trump, shkallmoi dhe e humbi dhe iu kthye me grushte tavolinës. E vetmja gjë që thashë në atë moment, shyqyr Zotit nuk ka ra ndonjë grua aty që të hajë grushtet e tij”, shtoi ish-kryeministri.

Nga selia blu, Berisha pohoi se kreu i bashkisë së Tiranës është viktimë e rivalitetit mes Kodrës së Diellit dhe Surrelit, duke iu referuar një lufte mes Veliajt dhe Edi Ramës.

“I mori si dekoradë meritën e SPAK, mbajti një qëndrim të dyfishtë. Këtej u lavdërua, këtej u përpoq që të ishte duarjashtë, por absolutisht dora e zezë e tij është në çdo gjë”, tha Berisha.

Lideri i opozitës kërkoi edhe njëherë largimin e Edi Ramës, kur tha se duhet të japë dorëheqjen e në rast se nuk ndodh vullnetarisht, pohoi se po bëhen të gjitha përgatitjet për protestë. (A2 Televizion)