Saliu: Numri fleksibël i nënkryetarëve të Parlamentit krijon ambient pozitiv

Nga Suzana Saliu
Substanca e demokracisë parlamentare qëndron në pluralizmin politik,
miratimin dhe vënjen në lëvizje të ideve dhe projekteve që kanë për qëllim
para se gjithash përparimin e jetës së individit e qytetarit i cili është bartës i
suverenitetit të shtetit. Parlamenti është ambienti më sublim ku vjen në
shprehje jo vetëm pluralizmi politik, por edhe ai etnik dhe kulturor që
pasqyrohet në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Marketing

Në valën e konstituimit të organeve parlamentare duket jokonstruktive dhe
humbje kohe që të fokusohemi se sa nënkryetarë duhet të ketë organi më i
lartë ligjdhënës-Parlamenti. Përcaktimi i numrit të nënkryetarëve ka bazë të
fortë kushtetuese dhe ligjore duke lënë fleksibël dhe elastik numrin e tyre.
Edhe Kushtetuta, por edhe Ligji për Kuvendin, qartë përkufizojnë se nga radhët
e deputetëve parlamenti zgjedh Kryetarin dhe një ose më shumë nënkryetarë.
Numrin e nënkryetarëve e përcakton Parlamenti me propozim të Kryetarit të
Parlamentit. Nënkryetarët zgjdhen nga radhët e partive të ndryshme politike
që janë perfaqësuese në Parlament. Eshtë dispozitive dhe shumë e
rëndësishme që njëri nga nënkryetarët të zgjidhet nga radhët e deputetëve që
i takon partisë më të madhe opozitare parlamentare.

Sipas një tradite të mirë, përbërjet e deritanishme parlamentare pluraliste
të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë pasur nga tre
nënkryetarë, një nga opozita e madhe parlamentare, dhe nga një nga radhët e
partive më të mëdha në pushtet, që nënkupton së paku edhe një nënkryetarë
shqiptarë. Modeli i deritanishëm ka funkcionuar pa probleme, me përjashtim
të kapriceve politike përbrenda Parlamentit që i japin gjallëri të zakonshme
organit më të lartë të demokracisë.

Por, pse autorët e Kushtetutës dhe Ligjit për Kuvendin kanë qenë aqë
fleksibël dhe tolerantë në përcaktimin e numrit të nënkryetarëve të
Parlamentit?! Si duket autorët kanë qenë të vetëdishëm për shembëlltyren e
Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për diversitetin pluralist të
gjithanshëm, duke filluar nga ai politik, kulturor, fetar, etnik, filozofik, e tj.
Kanë qenë të vetëdishëm se çdo grup parlamentar dëshiron të ketë
përfaqësuesit e vet në forumin më të lartë-Kryesinë e parlamentit, ku meren
vendime të ndryshme për rrjedhën dhe dinamikën e axhendës së punimeve të
Parlamentit. Kanë qenë të vetëdishëm se Parlamenti i Maqedonisë i zhvillon
punimet në mënyrë të vazhdueshme.

Në parlamentet pluraliste bashkëkohore është vënë një traditë tjetër e
mirë- funksionimi i kolegiumit të Parlamentit, respektivisht i kryesisë së
Parlamentit. Ky forum i rëndësishëm në vendin tonë është i njohur si
koordinim te Kryetari i Parlamentit në të cilin marin pjesë Kryetari,
nënkryetarët dhe shefat e grupeve parlamentare, e sipas nevojës ftohen edhe
përfaqësues parlamentarë të grupeve më të vogla të deputetëve (nën pesë
deputetë). Është bërë rregull që këto koordinime të mbahen një herë në javë
(të hënave), por sërish sipas nevojës dhe situatave të krijuara edhe më shpesh,
(ndodh edhe dy tre herë brenda një dite). Në këtë forum diskutohet për tema
të ndryshme, për dinamikën e axhendës parlamentare, harmonizim të
qëndrimeve, dhënje e kahjeve dhe e koordinatave për dalje nga situatat
bllokuese, dhe krejt kjo me qëllim të përparimit të punës së Parlamentit. Në
këtë forum flitet edhe për kushtet e punës së deputetëve, disiplinën e tyre
dhe shumë çështje tjera të lidhura me funksionimin e Parlamentit. Patjetër se
në këtë forum pihet edhe kafe, ndonjëherë e ëmbël, e ndonjëherë e hidhur,
varësisht nga rrethanat dhe ndjeshmëria e temave. Shpesh në këto
koordinime del në sipërfaqr edhe ana tjetër e depuetit-kolegialiteti, njerëzia,
butësia, modestia, barcoletat dhe sjellja e natyrshme e tij, të cilat japin
porosinë se ai parasegjithash është njeri, e pastaj politikan agresiv dhe i
vrazhdë siç jemi mësuar ta shohim. Prandaj, a duhet të ketë Parlamenti i
Maqedonisë tre ose pesë nënkryetarë, është çështje e parëndësishme dhe e
kot. Është shumë me rëndësi krijimi i ambientit konstruktiv dhe qasja
demokratike e grupeve të ndryshme të përfaqësueseve të popullit në krijimin e
politikave të vendimeve parlamentare.
(Autorja është ish-Nënkryetare e Parlamentit të RMV-së).

Marketing