Saliu: Së shpejti normalizohet trafiku afër Bit Pazarit

Ekipet e Ndërmarrjes Publike “Rrugët dhe rrugicat”, me urdhër të Qytetit të Shkupit, kanë punuar intensivisht në rregullimin e bulevardit afër tregut të Bit Pazarit, ku së shpejti do të vendosen ulëse dhe zhardinerë, dhe do të mbjellën drunj, si dhe do të rregullohet ndriçimi nga bulevardi deri në çarshi.

Marketing

Me rregullimin e kësaj hapësire, problemi i gjatë me kaosin e lëvizjes në Bit Pazar do të zgjidhet dhe trafiku normal do të mundësohet për të gjithë këmbësorët, çiklistët dhe shoferët, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Sipas zëdhënësit të Qytetit të Shkupit, Valon Saliu, kjo iniciativë ka për qëllim që Qyteti i Shkupit të ketë dy pjesë të barabarta sa i përket infrastrukturës.

“Iniciativa e Qytetit të Shkupit të cilën e bën në këtë pjesë të qytetit, është me qëllim që më në fund Qyteti i Shkupit të ketë dy pjesë të barabarta nga njëra dhe nga ana tjetër e Vardarit. Për momentin jemi duke punuar në pjesën e Bit Pazarit. Pjesa e taksistëve veçse është në fazën përfundimtare, tani do të pasojnë edhe punimet për korsin e biçikletave dhe këmbësorinë. Pas kësaj fillon pjesa e dytë, ku do të rregullohen edhe pasazhet të cilat të nxjerrin në hyrjen e Çarshisë, atje është planifikuar të bëhen ndriçime”,- tha zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Valon Saliu.

Qyteti i Shkupit është detyruar të gjejë zgjidhje edhe për shitësit në bulevard dhe gjithçka është zgjidhur në marrëveshje me ta, thotë Saliu.

“Paraprakisht kemi pasur bisedime me të gjithë ata shitësit ilegalë aty që janë. Janë arritur disa marrëveshje. U janë dhënë opsionet që të hyjnë brenda në treg, ata me lulishtet janë dërguar mbas spitalit. Kemi hasur në keqkuptime dhe mirëkuptime, mirëpo asgjë nuk kemi bërë me forcë në secilin hap që e kemi marrë. Kemi biseduar me ata dhe deri tash nuk kemi pasur probleme dhe shpresoj që edhe në të ardhmen nuk do të kemi”,- theksoi Saliu.

Punimet në bulevardin afër Bit Pazarit po zhvillohen në faza, thotë Saliu, sipas të cilit faza e parë, pjesa e taksi stacionit dhe pjesës para Bit Pazarit, është paraparë të zgjasë dy muaj.

Marketing