SHBA-ja e mbështet Marrëveshjen e Prespës e cila e hap rrugën e Maqedonisë që ta marrë vendin e merituar në BE dhe në NATO, deklaroi zëvendëssekretari shtetëror amerikan Xhon Salivan në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev.
“SHBA-ja angazhohet për një Evropë Juglindore të qëndrueshme dhe të sigurt, ndërsa Maqedonia është faktor kyç në rajon për arritjen e këtij qëllimi”, porositi Salivan.
Ai shprehu mirënjohje për kryeministrin zaev dhe për shefin e diplomacisë Nikolla Dimitrov, si dhe për deputetët të cilët i kanë mbështetur ndryshimet kushtetuese. U bëri thirrje edhe parlamentarëve të tjerë të japin mbështetje dhe t’i lënë mënjanë qëllimet e ngushta partiake dhe t’i ndjekin interesat kombëtare.
“Votat tuaja e vendosën vendin tuaj në rrugën e një të ardhme të sigurt dhe prosperuese. Si vazhdon procesi në Kuvend i nxisim më shumë deputetë t’i lënë mënjanë interesat partiake dhe të mbesin të fokusuar në qëllimet e përbashkëta strategjike. Nuk ka alternativë tjetër, shpresat për një të ardhme më të ndritshme për vendin tuaj e keni të mundshme”, theksoi Salivan.
Kryeministri Zaev vlerësoi se vizita e zëvendëssekretarit shtetëror është edhe një dëshmi për mbështetje të vazhdueshme të SHBA-së për Republikën e Maqedonisë.
Zaev theksoi se qëllimet kryesore strategjike të Maqedonisë mbesin anëtarësim në BE dhe në NATO. Porositi se Maqedonia është e përkushtuar në bashkëpunim rajonal dhe angazhohet për një Ballkan të fuqishëm dhe të qëndrueshëm me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së.
“Në Republikën e Maqedonisë krijojmë kushte për ambient politik që do ta mundësojë realizimin e Marrëveshjes së Prespës në tërësi dhe se rreziqet i reduktojmë në minimum, ndërsa përfundimin e suksesshëm në Kuvend është bileta jonë të hyjmë në NATO”, tha Zaev.
Ai shtoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në reformat që të japin rezultat kredibil dhe të konfirmohet vendimi për hapjen e negociatave për anëtarësim e Maqedonisë në BE.