Kënaqësinë e SHBA-së për finalizimin e Marrëveshjes së Prespës ia shprehi zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Saliven shefit të diplomacisë greke, Jorgos Katrugallos gjatë bisedës së tyre telefonike.
“Saliven e uroi Katrugallosin për marrjen e detyrës së re dhe e shprehi kënaqësinë e SHBA-së për finalizimin e Marrëveshjes së Prespës dhe verifikimin e Protokollit për pranim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Katrugallos e theksoi rolin e Greqisë, në bashkëpunim me Qipron, si shtyllë e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe Mesdheun Juglindor”, kumtojnë nga MPJ greke.
Ministri i jashtëm i Greqisë, e informoi Salivenin për Samitin e ardhshëm trilateral Greqi – Qipro – Izrael, por edhe për pjesëmarrjen e tij në Samitin e ardhshëm të NATO-s më 3 dhe 4 prill në Uashington. Që të dy, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, u dakorduan për rëndësinë e dialogut strategjik mes Greqisë dhe SHBA-së.
Zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Saliven, dje bisedoi në telefon edhe me kryeministrin Zoran Zaev. Bashkarisht u vlerësua se epilogu i suksesshëm i Marrëveshjes së Prespës, si dhe procedura e ratifikimit të Protokollit për inkuadrim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, është me rëndësi të jashtëzakonshme për Shkupin dhe Athinën, por edhe për tërë rajonin.