Samit të liderëve ballkanik të mërkurën në Uashington

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të marrin pjesë në video samitin në Uashington të mërkurën, të organizuar nga Këshilli Atlantik, kushtuar hapave konkretë për përforcimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Marketing

Siç u publikua në faqen e internetit të Këshillit Atlantik, në samit do të marrin pjesë presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kryetari i Këshillit Ministror i BeH-së, Zoran Tegeltia dhe ministrja malazeze e Ekonomisë, Dragica Sekuliq.

Këto hapa të rëndësishëm do të ndihmojnë në rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë me mundësi më të mëdha për zhvillim ekonomik.

“Pasojat e pritura ekonomike dhe sociale nga pandemia e Kovid-19 në Ballkan kërkojnë aksion rajonal urgjent që të shmanget stagnimi i përhershëm ekonomik dhe paqëndrueshmëria e mundshme që vjen me këtë”, thekson Këshilli Atlantik prej ku presin bashkëpunim më të madh ekonomik në rajon.

Këshilli Atlantik organizon Samit për partneritet në Ballkanin Perëndimor që t’i lehtësojë dhe promovojë hapat konkretë midis liderëve për integrim ekonomik rajonal të cilat mund ta përforcojnë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, ta përmirësojnë konkurencën afatgjatë të rajonit dhe ta përforcojnë fokusin e investuesve.