Samiti i BE dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë do t’i kushtojë Shqipërisë 450 mijë euro

450 mijë euro do i kushtojë Shqipërisë organizimi i samitit të BE me Ballkanin Perëndimor në Tiranë më 6 dhjetor.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, do t’i shtohet fondi prej 450 mijë euro për përballimin e shpenzimeve të organizimit të “Samitit të BE-BP”, që do të organizohet në Tiranë në dhjetor. Siç edhe bëhet e ditur, “fatura” e Samitit BE-BP, do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.

Marketing

Në Tiranë do të mblidhen më 6 dhjetor liderë të Bashkimit Evropian dhe ata të rajonit. Disa ditë më parë, Shqipërisë iu dha me propozim të kancelarit Scholz, kryesimi i Procesit të Berlinit dhe organizimi në Tiranë i Samitit të ardhshëm.

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2022, MIRATUAR PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE, PËR PËRBALLIMIN E SHPENZIMEVE TË ORGANIZIMIT TË “SAMITIT BE-BP”, TË DATËS 6 DHJETOR 2022

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, i shtohet fondi prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve të organizimit të “Samitit të BE-BP”, që do të organizohet në Tiranë, në datën 6 dhjetor 2022.
  2. Efekti financiar, prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.
Marketing