Samiti i Granadës/ Hakerat rusë godasin faqet spanjolle të internetit

Një grup hakerësh pro-rus kanë shënjestruar dhe ndërprerë disa faqe interneti që lidhen me qeverinë spanjolle dhe qytetin e Granadës, transmeton Anadolu.

Marketing

Sulmi vjen teksa në Granada janë mbledhur liderët evropianë në një samit të rëndësishëm në lidhje me emigrimin, luftën në Ukrainë dhe zgjerimin e BE-së.

Grupi Noname057(16) mori përgjegjësinë për sulmin, duke ia atribuar atë vizitës së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Në një deklaratë në Telegram, grupi tha:

“Spanjollët planifikojnë të furnizojnë gjashtë sisteme anti-raketë Hawk, si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore dhe kundër dronëve. Duket se segmenti spanjoll i internetit ka qenë në pritje për vizitën tonë”.

Faqet e internetit të qeverisë spanjolle, Institutit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike të Spanjës dhe Ministrisë së Ekonomisë, të cilat hakerët gjithashtu pretenduan se i kishin sulmuar, funksiononin normalisht.

Grupi i hakerëve pro-rus u formua në mars të vitit 2022. Manifesti i tyre thotë se ata “po kryejnë sulme masive ndaj burimeve të Ukropropagandës që gënjejnë njerëzit në mënyrë të pacipë për operacionin special të Rusisë në Ukrainë”.

Grupi ka nisur të sulmojë faqet e internetit në mbarë botën.

Liderët evropianë mbetën më gjatë në bisedime në Granada, teksa vendet u përplasën për planet për zgjerimin e bllokut, si dhe për kundërshtimet e Hungarisë dhe Polonisë ndaj paktit të emigracionit.

Teksa nuk u arrit asnjë marrëveshje në mbarë BE-në në lidhje me Ukrainën, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez i ofroi Zelenskyy-t sisteme të reja të mbrojtjes ajrore dhe sisteme kundër dronëve, duke përfshirë gjashtë raketa të tjera anti-ajrore Hawk, si dhe teknologji të re të heqjes së minave.