Samiti i Granadës, Michel: Situata mes Kosovës e Serbisë është problem për Europën

Mbi 45 udhëheqës shtetesh u mblodhën në Granada të Spanjës për samitin e tretë të Komunitetit Politik Europian.

Marketing

Diskutimi kryesor ishte gjetja e mënyrave për ta bërë Europën më elastike, më të begatë dhe gjeostrategjike.

Çështja e Ukrainës eklipsoi atë të zgjerimit të Bashkimit Europian që u përmend vetëm në nisje të eventit.

Mikpritësi, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, njoftoi nisjen e një debati për një reformim të thellë të Unionit për të mundësuar që për disa vite blloku të bëhet me 35 shtete anëtare.

“Kjo do të na sjellë shumë sfida të brendshme në mënyrë që të mbetemi efektivë dhe të jemi në gjendje të përqafojmë ato vende që po trokasin në derën tonë për një kohë të gjatë për t’u bërë pjesë e këtij projekti të përbashkët që është Bashkimi Europian.”

Vëmendje iu kushtua ndihmës së Ukrainës për t’i rezistuar pushtimit rus, gjithashtu edhe sulmit të fundit në Kosovë dhe mosmarrëveshjeve me Serbinë.

“Sinqerisht besoj se kjo platformë e komunitetit politik mund dhe duhet të luajë një rol të rëndësishëm për shuarjen e konflikteve dhe të ndihmojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, veçanërisht në Kaukazin Jugor dhe mes Serbisë e Kosovës. Konfliktet nuk janë një problem vetëm për ata që përfshihen drejtpërdrejtë, por edhe për rajonin dhe kontinentin tonë,” deklaroi Charles Michel, presidenti i Këshillit të BE-së.

“Lejoni që vetëm ambiciet e Putinit të shkatërrohen. Jo shtetet tona, popujt apo qytetet tona. Fëmijët e çdo vendi meritojnë që të jenë të sigurt,” u shpreh presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Është obligimi jonë që Ukraina të triumfojë dhe jo Rusia,” tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian.

Samiti i radhës i Komunitetit Politik Europian do të organizohet nga Mbretëria e Bashkuar.