Samiti i procesit të Berlinit/ Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruajnë marrëveshje të reja

Me ftesë të kancelarit gjerman Olaf Scholz në Berlin janë takuar liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndërsa me ta ishin edhe liderët e bashkimit europian

Marketing

Shqipëria dhe Kosova u përfaqësuan nga kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti. Gjatë samitit kancelari gjerman foli për nevojën e një marrëdhënie më të mirë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Na duhet një dinamikë e re… do t’u thosha sot miqve nga Beogradi dhe Prishtina: Ju lutem mos lejoni që e kaluara t’ju frenojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. Jam i bindur se kjo e ardhme gjendet në BE dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura. Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, tha Scholz.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e nënvizoi se tani duhet parë përpara drejt një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e bllokut europian.

“Procesi i Berlinit është bërë promotor i tregun rajonal ekonomik, të përbërë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Është qenësore që ky treg i përbashkët rajonal të funksionojë në mënyrë të lehtë, pasi i mundëson kompanive të Ballkanit Perëndimor që të tregtojnë dhe krijojnë vende pune.

Pasi ky rajon është afër nesh është edhe afër tregut tonë të përbashkët. Unë mirëpres shumë marrëveshjen e javës së kaluar që është bërë në nivel të CEFTA-s. Sidomos që kufizimi i eksporteve nga Serbia në Kosovë do të pezullohen. Uroj për shfaqjen e këtij vullneti politik po ashtu edhe juve Olaf Scholz për shkathtësitë e ndërmjetësimit, pasi ky është një hap për normalizim”, deklaroi Von der Leyen.

Krahas kësaj, duke folur për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, ajo tha se pesë nga gjashtë agjendat e reformave të miratuara të vendeve të rajonit do të adaptohen këtë javë nga BE-ja.

Ajo tha se pagesat e para të pakos prej 6 miliardë eurove do të bëhen para përfundimit të vitit.

“Na nevojitet një urë ndërmjet tregut rajonal të përbashkët dhe tregut të vetëm evropian. Kjo urë është plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor në vlerë 6 miliardë euro investimesh. Plani i rritjes dhe Procesi i Berlinit janë të ndërlidhur. Me Planin e Rritjes e hapim dorën për sektorë të caktuar të tregut të vetëm. Që të përdoret kjo hapje, Ballkani Perëndimor duhet të ketë reforma në nivelin horizontal”, tha ajo.

Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan në samitin e Procesit të Berlinit një plan të ri për tregun e përbashkët rajonal, si dhe një marrëveshje të re për lëvizshmërinë, e cila përfshin qasjen në arsimin e lartë.