Pas zgjedhjes, Veseli premtoi se do të vazhdojë me punët dhe obligimet si dhe me projektet në vijim me qëllim të funksionimit të papenguar të Komunës dhe shërbimeve të qytetarëve. Por, deri kur Veseli do të jetë u.d. kryetar komune, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme apo deri te zgjedhjet e rregullta që duhet të mbahen vitin e ardhshëm?
Por çfarë thotë ligji aktual për Vetëqeverisje lokale. Sipas nenit 54 të Ligjit për Vetëqeverisje lokale, mandati i kryetarit të komunës mund të ndërpritet vetëm sipas disa pikave. Në atë nen parashihet edhe konflikt interesi i funksioneve, përkatësisht në rastin konkret me Bexhetin, Taravarin dhe Mucunskin.Në të njëjtin nen është paraparë që Këshilli në afat prej 15 ditëve nga ndërprerja e mandatit të kryetarit të komunës, me shumicë prej 2/3-ve të zgjedhë zëvendësin e tij.
Pasi që të zgjidhet zëvendësi, ai është i obliguar që gjithashtu në afat prej pesëmbëdhjetë ditëve të njoftojë Ministrinë për vetëqeverisje lokale për ndryshimet. Më pas, në të njëjtën periudhë kohore Ministria është e obliguar që ta njoftojë Qeverinë e cila më pas në afat prej një muaji duhet të shpall zgjedhje të jashtëzakonshme lokale për atë komunë. Pasi që Qeveria ta publikojë vendimin, Këshilli komunal ka për detyrë që të zgjedhë u.d. kryetar komune i cili do ta kryej këtë funksion deri në zgjedhje. Zgjedhje nuk do të shpallen nëse kanë mbetur jo më shumë se një muaj deri te mbajtja e zgjedhjeve të rregullta.