Lëvizja Demokratike ka themeluar sot Forumin e Gruas, një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të rolit të gruas si në politikë ashtu edhe në shoqëri. Në krye të këtij forumi është zgjedhur deputetja Saranda Imeri, një lidere e dëshmuar dhe përfaqësuese e denjë e vizionit të Lëvizjes Demokratike për barazi dhe përparim.
Për Lëvizjen Demokratike, sipas kreut të kësaj partie, Izet Mexhiti, gruaja është shtylla kryesore e ndërtimit të një politike gjithëpërfshirëse dhe përparimtare.
Themelimi i Forumit të Gruas siç tha Mexhiti synon të krijojë një platformë për të ngritur zërin dhe për të avancuar kontributin e grave në proceset vendimmarrëse, duke frymëzuar gjeneratat e reja drejt lidershipit.
“Përfaqësimi i grave në këtë parti reflekton angazhimin e saj për barazi dhe fuqizim: të tria deputetet e Lëvizjes Demokratike në Kuvend janë gra, një shembull unik në politikën vendore. Po ashtu, gra udhëheqin edhe pozita kyçe shtetërore si zëvendësministrja dhe zëdhënësja e qeverisë”, deklaroi kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.
Forumi i Gruas të Lëvizjes Demokratike është një dëshmi e përkushtimit të palëkundur të kësaj Lëvizje për të krijuar hapësira ku gratë mund të drejtojnë, të kontribuojnë dhe të sjellin ndryshime të qëndrueshme.
“Sepse aty ku fuqizohet gruaja, ndërtohet e ardhmja”, përfundoi Mexhiti.