25/11/2024
Ballina Lajme Maqedoni SASHK: MASH-i duhet urgjentisht t’a tërheq vendimin se është diskriminues për punonjësit...

SASHK: MASH-i duhet urgjentisht t’a tërheq vendimin se është diskriminues për punonjësit në arsim

Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë ka njoftuar shkollat fillore në vend se ditët e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, 24 Prill dhe 8 Maj do të kompensohen. Sipas MASH-it, zëvendësimi do të bëhet në dy të shtunat vijuese, 18 Maj dhe 1 Qershor, pavarësisht që Qeveria ditën e zgjedhjeve e ka shpallur ditë jo pune. Nga MASH thonë se këto ditë duhet punuar për shkak të plotësimit të Kalendarit mësimor që për shkollat fillore parasheh 180 ditë proces mësimor. Për këtë vendim Sindikata e Arsimit dhe Shkencës shprehet e revoltuar. Kujton ministrin e Arsimit, Jeton Shaqiri se në raste të caktuara ka të drejtën ekskluzive për ndryshime të Kalendarit mësimor. Gjithashtu, SASHK vlerëson se vendimi është diskriminues dhe urgjentisht duhet tërhequr.

Marketing

“Vlerësojmë se nëse Qeveria ka vendosur se këto ditë do të jenë ditë jo pune për të gjithë të punësuarit atëherë nuk e shoh të arsyeshme përse vetëm arsimi fillor duhet të punojë. Punonjësit në arsim ndjehen të diskriminuar nga një vendim i tillë sepse vetëm arsimi fillor në gjithë sektorin publik dhe privat do ti kompensojnë ditët. Ne jemi dëshmitarë se ka ndodhur edhe viteve të kaluara kur janë punuar më pak se 180 ditë mësimore ku ministri ka të drejtën ekskluzive ta verfikojë vitin dhe viti shkollor të përfundoj me më pak se180 ditë mësim. Këtë njoftim duhet ta tërheq ministri i Arsimit dhe të gjitha argumentet tona që janë paraqitur kanë peshë”, deklaroi Jakim Nedellkov, kryetar I SASHK-ut.

Përveç kompensimit të ditëve të zgjedhjeve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës i obligon shkollat fillore në Qytetin e Shkupit që më 15 qershor të plotësojnë orët e humbura të datës 30 Nëntor të vitit të kaluar, e cila ishte ditë jopune për shkak të mbajtjes së Këshillit Ministror të OSBE-së. Një ditë më parë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur se më 23 prill dhe 7 maj, respektivisht ditët para votimit për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, në shkollat ku do zhvillohet procesi i votimit mësimi do të realizohet me orar të shkurtuar për të gjitha klasat. Sipas Ministrisë së Arsimit, mësimi do të zhvillohet nga ora 7 deri në orën 11. Gjithashtu, MASH bën të ditur se në shkollat ku nuk do të votohet, mësimi do të zhvillohet si zakonisht, sipas orarit të caktuar. /Alsat.mk