Paga e marsit, e cila do të merret në muajin prill, për të punësuarit në shkollat e mesme dhe fillore do të jetë më e lartë për 7%. Kështu bëri të ditur ministrja e Arsimit Janevska, pas takimit me SASHK-un. Ajo thotë se ky është një takim i rregullt, me partnerin e tyre social, ku u dakorduan për të gjitha çështjet. Sipas kreut të SASHK-ut, Jakim Nedellkov, këto marrëveshje janë shumë komplekse dhe duhet një qasje serioze për zgjidhjet përfundimtare në marrëveshjet kolektive.
“Kjo rritje e dytë e pagave është në përputhje me inflacionin. Nga këtu besojmë se kjo është një gjë e rëndësishme, sepse realisht pagat e mësuesve do të rriten për të mbuluar shpenzimet e paplanifikuara. Së dyti, ajo që është e rëndësishme është që me këtë marrëveshje të sigurohet vazhdimësia e rritjes së pagave për mësimdhënësit dhe punonjësit e tjerë në shkollat fillore dhe të mesme, të cilat do të bëhen gjatë 4 viteve të ardhshme. Ne tashmë ramë dakord për shumë nga pikat që po negociojmë”, tha Vesna Janevska – ministre e Arsimit dhe Shkencës.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe SASHK tashmë janë në fazën finale të negociatave për marrëveshjet kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm. Kontratat kolektive, të cilat nuk janë rinovuar prej 17 apo 18 viteve. Marrëveshja e fundit kolektive e nënshkruar ishte në vitin 2008. Kjo tregon se këto marrëveshje kolektive janë komplekse dhe shumë të rëndësishme për anëtarët tanë, për të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm, dhe për këtë kërkon një qasje shumë serioze për të sjellë zgjidhjet përfundimtare të këtyre marrëveshjeve”, u shpreh Jakim Nedellkov nga SASHK.