Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës – SASHK nesër do të organizojë grevë paralajmëruese në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në vend pasi, siç tha kryetari Jakim Nedellkov, deri sot me MASH nuk është arritur marrëveshje. Vendimin për grevë ditën e parë të shkollës SASHK e solli më 23 gusht pasi nuk pajtohet rritja e pagave të mësimdhënësve të jetë 5 për qind, por për aq sa është rritur paga minimale në shtet, gjegjësisht 25 për qind.
Edhe krahas apelit të ministrit resor Arbër Ademi nesër të ketë mësim, Nedellkov në konferencë shtypi më vonë kumtoi se vendimi i tyre është definitiv për grevën paralajmëruese nesër, ndërsa mësim do të ketë prej të martës. SASHK këtë muaj do të presë negociata me MASH që të gjendet zgjidhje e pranueshme e ndërsjellë, ndërsa nëse nuk ka deri në fund të muajit është e mundur të organizohet grevë e përgjithshme.
“Sindikata jonë nesër do të mbajë grevë. Anëtarët tanë dhe të gjithë të tjerët që nuk janë anëtarë tanë, ndërsa që dëshirojnë t’i bashkohen grevës, do të jenë në grevë. Kjo do të thotë se do të shkojnë në punë, do të jenë në hapësirën e caktuar për grevë, por nuk do t’i kryejnë obligimet edukativo-arsimore dhe nuk do të pranojnë nxënësit e ardhur në shkollë”, tha Nedellkov.
Pret mbështetje edhe prej prindërve, ndërsa lidhur me habinë e tyre nëse nesër duhet t’i dërgojnë fëmijët në shkollë u përgjigj se nuk është kompetencë e SASHK-ut, por e shkollave të tregojnë ose të apelojnë nëse duhet të vijnë ose jo. Më pas pyeti se cila është arsyeja që nxënësit nesër të vijnë nëse nuk pranohen prej mësimdhënësve dhe theksoi se SASHK nuk do të jetë përgjegjës nëse ndodh ndonjë pasojë e padëshiruar për shëndetin dhe sigurinë e nxënësve.