Kancelari gjerman, Olaf Scholz i bëri thirrje presidentit të ri iranian, Masoud Pezeshkian për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm ushtarak në Lindjen e Mesme.
“Spiralja e dhunës në Lindjen e Mesme duhet të thyhet tani, çdo gjë tjetër do të përbënte një rrezik të pallogaritshëm për vendet dhe njerëzit në rajon”, i tha Scholz Pezeshkianit sipas një deklarate nga Kancelaria.
Scholz foli me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në fundjavë dhe shprehu gjithashtu shqetësim për rrezikun e një lufte rajonale në Lindjen e Mesme.
Në bisedën e tij telefonike me Pezeshkian, Scholz theksoi nevojën për një armëpushim në Gaza dhe kthimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
“Ky do të ishte një kontribut i rëndësishëm për shpërshkallëzimin rajonal”, thuhet t’i ketë thënë Scholz liderit iranian.
Frika e një lufte gjithëpërfshirëse rajonale është rritur pas vrasjeve të dy figurave kryesore, njëra nga grupi islamik palestinez Hamas dhe tjetra nga milicia libaneze e Hezbollahut e mbështetur nga Irani.
Irani dhe Hezbollahu njoftuan se do të ndërmarrin sulme masive hakmarrëse kundër Izraelit në përgjigje të vrasjeve. Forcat e armatosura izraelite kanë qenë në gatishmëri të lartë prej ditësh.
SHBA, aleatja më e rëndësishme e Izraelit, ka dërguar në rajon anije luftarake dhe avionë luftarakë shtesë, duke forcuar më tej praninë e saj atje.