S’do ta besoni për çfarë pendohen njerëzit para se të vdesin

Askush s’mendon për seksin apo aventurat e çmendura para se të vdesë. Një infermiere që kujdeset për njerëzit në ditët e fundit të jetës zbuloi për çfarë u penduan më së shumti pacientët e saj. Në krye, shumica, kryesisht burra, shprehin pendesë për kohën që kanë kaluar duke punuar.

Marketing

Bronnie Ware, një infermiere australiane, i kushtoi një pjesë të mirë të karrierës së saj njerëzve prag vdekjes. Ajo i regjistroi epifanitë e tyre të fundit në një blog të quajtur ‘Inspiration and Chai’, i cili u bë aq popullor, sa Bronnie i përmblodhi deklaratat në një libër të quajtur ‘The Top Five Regrets of the Dying’.

Bronnie shkruan për qartësinë fenomenale që njerëzit kanë në fund të jetës dhe se si ne mund të mësojmë nga dijet e tyre. “Kur i pyesja për ç’ishin penduar në jetë, përgjigje të ngjashme dilnin në sipërfaqe,” shkruan ajo.

Do të doja të kisha pasur kurajo të jetoja jetën qe doja, jo jetën që të tjerët donin për mua

“Pendimi më i zakontë nga të gjithë. Kur njerëzit kuptojnë se jeta e tyre mori fund dhe kthejnë sytë pas me qartësinë më të madhe, shohin se shumë ëndrra s’i kanë plotësuar. Shumë njerëz vdesin duke e ditur se ëndrrat e tyre nuk u bënë realitet prej zgjedhjeve që bënë ose nuk bënë kur ishin të rinj. Shëndeti sjell një liri që shumë pak e dinë se e kanë.”

Do të doja të mos kisha punuar aq shumë

“Çdo pacient më thoshte të njëjtën gjë. Humbën fëmijëritë e fëmijëve dhe shoqërinë e grave. Gratë gjithashtu pendoheshin për sa shumë kishin punuar, por duke marrë parasysh se ishin brez tjetër, shumë pak gra ishin shtylla ekonomike e familjes. Të gjithë burrat nën kujdesin tim shpreheshin të penduar për faktin se shumicën e jetës e kaluan në pistën e karrierës.”

Do të doja të kisha pasur kurajon të shprehja ndjenjat

Shumë njerëz i mbanin ndjenjat për vete për të ruajtur një gjendje paqeje. Si rezultat, binin dakort pa dashur me një ekzistencë mediokre dhe s’e arritën kurrë potencialin e vërtetë. Madje, disa zhvilluan sëmundje prej hidhërimit dhe mërisë që mbanin mbi supe.”

Do të doja të kisha ruajtur shoqërinë

“Shpeshherë, pacientët e mi nuk e kuptonin rëndësinë e shoqërisë deri kur arrinin ditët e fundit të jetës. Shumë u fokusuan në punët e tyre personale dhe lanë miqësi të vyera t’u rrëshkisnin nga duart. Pati të penduar për faktin se s’u kishin dhënë miqësive kohën dhe mundin që meritonin. Të gjithë i merr malli për shokët kur janë duke vdekur.”

Do të doja ta kisha lënë veten të përjetonte më shumë lumturi

“Edhe kjo është goxha e zakontë. Shumica nuk e kuptoi se lumturia është një zgjedhje deri ditët e fundit. Kishin ngecur në vese dhe zakone të vjetra. Rehatia e gjërave që njihnin u përmbuste emocionet dhe jetët fizike. Frika nga ndryshimi i detyronte të silleshin si njerëz që nuk ishin. Thellë në shpirt, thjesht donin të qeshnin lirshëm dhe të silleshin pa teklif.”

Marketing