S’e formon dot i vetëm qeverinë/Mitsotakis kthen mandatin, u hap rrugë zgjedhjeve të reja

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis do të kthejë mandatin tre-ditor për të formuar një qeveri koalicioni vetëm disa orë pasi e mori atë nga presidentja greke Katerina Sakellaropoulou.

Marketing

Në një audiencë me presidentin në Pallatin Presidencial pak pas mesditës, kryeministri tha se duke qenë se nuk ekzistojnë kushtet për formimin e qeverisë në koalicion, ai do të kthejë mandatin pasditen e së hënës.

Ai shtoi se sipas sistemit të proporcionalitetit të zgjeruar që do të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme, partia e tij, Demokracia e Re do të marrë një “shumicë të fortë”.

Me kthimin e mandatit ai donte të përshpejtonte procedurat për shpalljen e zgjedhjeve të reja, ndoshta më 25 qershor, shkruan Ekathimerini.

Mitsotakis i përshkroi zgjedhjet e së dielës “si një hap të pjekur”, duke vënë në dukje rritjen e pjesëmarrjes që nga viti 2019, faktin që grekët që jetonin jashtë vendit votuan për herë të parë dhe gjithashtu faktin se “rezultatet u dhanë në kohë rekord”.

Me kthimin e mandatit, ai do t’i kalojë partisë së vendit të dytë, SYRIZA, dhe nëse Alexis Tsipras nuk arrin të formojë një qeveri, siç ka gjasa, më pas partisë së vendit të tretë, PASOK.

Nëse asnjë parti nuk arrin të formojë një koalicion, presidentja greke do të emërojë një qeveri të përkohshme për ta çuar vendin sërish në zgjedhje rreth një muaj më vonë.

Marketing