Seanca për ndryshimet Kushtetuese, deri në fundjavë

Ditëve në vijim, deputetët do të kenë mundësinë e shqyrtimit të materialeve të cilat i kanë pranuar në kuadër të propozimit për qasje në ndryshime kushtetuese, si nismë nga Qeveria. Procedura për ndryshime kushtetuese kalon në tre faza. Në fazën e parë, Komisioni për çështje kushtetuese duhet të procedojë nismën e Qeverisë për qasje në ndryshim të Kushtetutës. Nënkryetari i LSDM-së dhe deputet në Kuvend, Aleksandër Kiracovski, thotë se mbajtja e seancës së Komisionit varet Talat Xhaferi, i cili është kryetar edhe i Komisionit për çështje kushtetuese. Komisioni në fjalë përbëhet gjithsej nga 16 anëtarë dhe kryetari.

Marketing

Mbajtja e seancës varet nga kryetari i Kuvendit i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Komisionit për çështje kushtetuese. Unë besoj se deri në fund të javës do të kemi iniciativë për mbajtjen e asaj seance dhe normalisht, pas asaj edhe seancës plenare- deklaroi Aleksandër Kiracovski, nënkryetar i LSDM-së.

Sipas rregullores së Kuvendit, e shumta 10 ditë mund të debatohen në komisionin për çështje kushtetuese i cili duhet të konstatojë nevojën për ndryshime, dhe e shumta dhjetë 10 ditë të tjera në seancë plenare. Këtë e thekson ish nënkryetari i Kuvendit Besim Dogani.

Procedurat e diskutimit zgjasin diku rreth dhjetë ditë ku bëhet shqyrtimi i përgjithshëm i propozimit dhe ky propozim duhet të kalojë me 2/3, respektivisht 80 deputetë. Dhe nëse kjo fazë nuk kalon atëherë nuk vijojnë fazat tjera- tha Besim Dogani, ish nënkryetar i Kuvendit.

Faza e dytë, gjegjësisht kthimi i procedurës nga plenarja në komision përfshin vërtetimin e draft-amendamenteve. Prej përfundimit të draft-amendamenteve, deri në mbajtjen se seancës plenare për miratimin e tyre, patjetër të kalojnë më pak 30 ditë. Në plenare, draft-amendamentet miratohen me shumicë nga numri i përgjithshëm i deputetëve, 61 deputetë. Pasi Kuvendi t’i marojë draft-mandamentet, ata shkojnë në fazën e debatit publik, kohëzgjatjen e të cilës e cakton vetë Kuvendi. Gjatë kësaj faze, Qeveria duhet të përpilojë propozim-amendamentet. Nga momenti i dorëzimit të propozim-amendamenteve në Kuvend deri në mbajtjen e seancës plenare për përfundimin e fazës së tretë dhe të fundit, duhet të kalojnë të paktën 30 ditë. Për amendamentin e preambulës, përveç 2/3, nevojitet edhe shumë me Badenter. Ish nënkryetari i Kuvendit Besim Dogani, është pesimist se mund të sigurohet shumicë prej 2/3.

Sipas të gjitha gjasave, sipas të gjitha deklaratave që janë dhënë deri tani, pjesa e VMRO-së nuk dëshiron që të jetë pjesë e ndryshimeve kushtetuese, nga ana tjetër, dëgjuam edhe nga Aleanca për Shqiptarët dhe nga njëri krah i Besës se votimin e tyre do ta kushtëzojnë me hapje të gjerë të kushtetutës ku do të bisedohet edhe për të drejtat e shqiptarëve. Në këtë drejtim besoj se mbetet LSDM-ja dhe BDI-ja me ndonjë deputet ekstra që e kanë përfituar brenda kohës që nuk përbën më shumë se 71-72 deputetë- pohoi Besim Dogani, ish nënkryetar i Kuvendit.

Nëse procedura përfshin kohëzgjatjen minimale, për përfundim të saj do të nevojiten të paktën 3 muaj e gjysmë./Alsat

Marketing