Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për sot janë caktuar seanca të reja gjyqësore për “Titanik”, “Tortura” dhe “Tarifa” të Prokurorisë Speciale Publike.
Rasti “Titanik” ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore dhe gjendet në procedurë dëshmuese. Nxirren materialet dëshmuese të propozuara nga PSP. Bëhet fjalë për rreth 5.900 materiale dëshmuese, si kërkesa për dhënien e letërnjoftimeve, deklarata për persona të autorizuar, fragmente nga llogaritë, vërtetime dhe dokumente tjera dhe dëshmi për keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës nga viti 2013.
Përveç ish kryeministrit Nikolla Gruevski i cili është në arrati në lëndën “Titanik” të akuzuar janë edhe Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkoska Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leko Ristoski, Kiril Todorovski, Katerina Velovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashjakovska.
Ata dyshohen për shoqërim kriminel, shkelje të së drejtës së votimit, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votim, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës zgjedhore.
Lënda “Tortura” e PSP-së ka të bëjë për mënyrën e arrestimit të Lube Boshkovskit në vitin 2011 dhe gjendet në procedurën dëshmuese.
Në rastin “Tortura” së bashku me Sasho Mijallkovin të akuzuar janë edhe ish njeriu i parë i njësitit “Alfat”, Ivica Antevski-Puki dhe edhe pesë pjesëtarë të njësitit.
Prokuroria Speciale Publike i ndjek për torturë dhe dënime dhe veprime të tjera të ashpra, jonjerëzore ose poshtëruese, për mënyrën e privimit nga liria të liderit “Të bashkuar për Maqedoninë” dhe ish ministër i Punëve të Brendshme Lube Boshkovski, më 6 qershor të vitit 2011, një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Në gjykatë sot duhet të mbahet seancë gjyqësore edhe për rastin “Tarifa”, në të cilin të akuzuar janë ish drejtori i përgjithshëm i SHA “ELEM” Dejan Boshkovski dhe edhe dy persona të tjerë për furnizim kundërligjor të sistemit të softuerit për nevojat e kompanisë shtetërore “Elekranat e Maqedonisë” që kushton rreth katër milionë euro.
Sipas PSP-së, të akuzuarit e kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimin zyrtar në procedurën për furnizim publik të softuerit – “ERP sistem”. Të akuzuarit me moskryerjen e detyrës zyrtare kanë mundësuar që personi juridik – konsorciumi, i cili më vonë e kanë marrë tenderin, të kualifikohet në fazën e dytë të negociatave gjatë furnizimit publik, edhe pse nuk kishte dorëzuar dokumentacion komplet.