Seanca të reja për lëndët “Tenderë”, “Titanik 2”, dhe “Tarifa”

Në Gjykatën penale sot janë caktuar seanca të reja për lëndët e Prokurorisë Speciale Publike “Tenderë”, “Titanik 2”, dhe “Tarifa”.

Marketing

Rasti “Tenderë” ku e akuzuar e parë është ish-ministrja e Kulturës, Elizabeta Kaçeska Milevska për tenderin e kryerjes së punëve ndërtimore në Muzeun e OBRM-së nga projekti “Shkupi 2014” është në procedurë dëshmuese, përcjell Telegrafi.

Sipas Prokurorisë, një pjesë e punëve në muze janë kryer në interes të personit juridik “Beton” nga Shtipi. Para se të publikohet shpallje për ndarje të marrëveshjes për furnizim dhe para se të zbatohet procedura, në kundërshtim me Ligjin e furnizimeve publike, Kançeska-Milevska përmes bisedimeve me drejtorin gjeneral të ndërmarrjes ndërtimore “Beton” nga Shkupi ka propozuar të punohet me punën në muze, ku janë kryer punë ndërtimore para se të arrihet marrëveshja për furnizim publik, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në seancën për lëndën “Titanik 2” që ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore në zgjedhjet vendore të vitit 2013 dëshmi duhet të japin dëshmitari i mbrojtjes Ljipka Gugçeska dhe personi ekspert Ljubomir Atanosovski.

Para gjykatës, siç njoftuan, dëshmi do të japin edhe të akuzuarit Vllatko Sajkovski, Sasho Srcev dhe Aneta Stefanovska.

Në rastin “Titanik 2” të akuzuar janë kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov si dhe ish-anëtarët e KShZ-së, Bedredin Ibrahimi, Aneta Setfanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Srcev.

Gjithashtu seancë të re do të ketë edhe për rastin “Tarifa” ku të akuzuar janë ish-drejtori i përgjithshëm i ELEM-it, Dejan Boshkovski dhe dy persona tjera.

Në këtë lëndë bëhet fjalë për aktakuzë për furnizimin ilegal të sistemit softuer për nevojat e kompanisë shtetërore ELEM, që kushton rreth katër milion euro. Sipas akuzave të PSP-së, të akuzuarit kanë keqpërdorur pozitën dhe procedurën për furnizimin publik.