Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën e sotme do të vendosë për furnizim të pajisjes teknike për realizimin e video transmetimit të drejtpërdrejtë të seancave.
“Me këtë do të fillojë procesi i krijimit të kushteve për transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave të Këshillit të Qytetit të Shkupit, aktivitet i cili ka për qëllim të rritë informimin e qytetarëve për punën e këtij organi, si dhe për rritjen e transparencës në funksionimin e Qytetit të Shkupit”, kumtuan nga Qyteti i Shkupit.
Me këtë vendim miratohet furnizimi i pajisjeve të tre llojeve të video kamerave profesionale, ndriçim, pajisje kompjuterike dhe pajisje të tjera teknike për realizimin e këtij aktiviteti.
Transmetimi, siç theksohet, do të ishte realizuar në faqen zyrtare të Qytetit të Shkupit, si dhe në faqet, kanalet dhe profilet zyrtare të Qytetit të Shkupit në rrjetet sociale dhe mediat..
Në seancën e sotme të 15-të në rend dite gjenden më shumë vendim propozime, midis të cilëve emërtimi i kryetarit dhe anëtarë të Bordit për ndarjen e çmimit “13 Nëntori”, për dhënien e pëlqimit të raporteve për funksionimin e ndërmarrjeve publike themeluesi i së cilës është Qyteti i Shkupit.