Ndeshja e xhiros së 21-të e LPFMV-së, Shkupi – Tikvesh e zhvilluar sot në Çair, përfundoi me rezultatin 3:2 për skuadrën tonë.
Për Shkupi, golin e parë dhe debutues e shënoi fantazisti brazilian Queven në minutën e 41, ndërsa në pjesën e dytë në minutën 57 nga pika e bardhë sulmuesi Sunday Adetunji shënoi golin e dytë. Goli i tretë dhe i fitores për skuadrën tonë erdhi përsëri nga sulmuesi nigerian, Adetunji.
Për mysafirët shënuan, Stojkov në minutën e 77 dhe Ngoba në minutën e 88.
Në deklaratë për faqen tonë kryetrajneri Goce Sedlloski u shpreh i lumtur me fitoren dhe tre pikët e fituara.
“Sigurisht ishte një ndeshje e vështirë dhe sfiduese për ne edhe pse kishim epërsi minimale ne krijuam shumë mundësi në pjesën e parë dhe ju thash djemve në zhveshtore që duhet të jemi më të saktë para portës së kundërshtarit dhe atë e realizuan duke shënuar golin e radhës. Ishte një lloj pa kujdesi nga ana jonë kur pranuam atë gol, nuk duhej të lejojmë në të ardhmen të pranojmë aq lehtë gola nga skuadrat kundërshtare. Fitore e merituar nga ana jonë dhe jam i lumtur me tre pikët e fituara, pasi që këto fitore bëjnë diferencën në kampionat. I uroj djelmoshave për punën dhe sakrificën që treguan sot”.
Me këtë fitore FC SHKUPI vazhdon të qëndroj lider i tabelës me 51 pikë të grumbulluara, 10 më shumë vendi i dytë, KF Shkëndija.