Maqedonia nga BE ka marrë rreth dy mijë standarde për kualitet në ndërtimtari dhe projektim, por kompanitë prodhuese të materialeve ndërtimore janë të obliguara t’i implementojnë vetëm një pjesë të tyre.
Nga Instituti për standardizim thonë se kompanitë nga ta blejnë kryesisht standardet obliguese, çmimi i të cilave arrijnë prej 500 deri në 3.000 denarë. Por, edhe pse çmimet janë të ulëta, nga instituti thonë se ka raste kur kompanitë paraqiten me standarde të fotokopjuara vetëm që të jenë konkurruese në treg.
“Përsëri theksojmë, që të kërkohen standardet origjinale të blera nga instituti ose nga cilido qoftë institut tjetër, patjetër duhet të jenë origjinale. Në të kaluarën ka ndodhur që kompanitë të vijnë me standarde të fotokopjuara prej kudo qoftë dhe të jenë konkurruese në treg”,- theksoi drejtori i Institutit për standardizim të RM-së, Xhevat Kicara.
Por, kryetari i Odës Ekonomike për Ndërtimtari, Ivica Jakimovski, pret që aplikimi i standardeve në ndërtimtari të jetë në nivel më të lartë pas hyrjes së paradokohshme në fuqi të Ligjit për produkte ndërtimore.
“Me miratimin e ligjit që hyri në fuqi më 30 shtator, pjesa e zbatimit të standardeve do të ngrihet në nivel më të lartë dhe bazë e zbatimit të standardit është vendosja në kontinuitet e kualitet. Në fakt standardi na e garanton cilësinë”,- theksoi kryetari i Odës për Ndërtimtari pranë LOEM-së, Ivica Jakimovski.
Jakimovski njëherit sqaroi se standardi për beton dhe hekur vazhdimisht kontrollohen nga laboratorë të akredituar, prandaj, sipas tij, banesat e ndërtuara nga kompanitë anëtare të LOEM-së janë sipas standardeve dhe të sigurta.