Të paktën për një periudhë nuk do të ketë bashkëpunim të përkthyer në një marrëveshje tjetër mes partive opozitare shqiptare. Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, i zhgënjyer nga partneri i deritanishëm i koalicionit, Alternativa, thotë se për momentin nuk mendon se do të ketë koalicion me Lëvizjen Besa, edhe pse këtë çështje nuk e kanë diskutuar akoma në organet e partisë. Sela këto komente i bëri në emisionin “200” në Alsat.
“Ne kemi bërë koalicione sepse ju e dini se sa këtë e ka kërkuar populli, qytetarët, që të ketë një koalicion. Ne e kemi bërë edhe për të qenë komfor kërkesës që e kanë qytetarët mirëpo po shihet me këto lëvizje se gjërat nuk po ecin siç duhet sepse po krijohet një zhgënjim me lëvizjet politike të cilat mund t’i bëjë dikush që ti i kë dhënë fuqinë politike me votën tënde, para së gjithash qytetarët, pastaj edhe subjektet politike duke i dhënë ndonjë pozicion më tepër. Ky është elementi më shqetësues që unë e shoh”, tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Perversitet politik e quan Sela kalimin e Alternativës në Qeveri, e cila sipas tij, pa kaluar ditë dhe javë ndryshoi qëndrimet e saja. Sela dyshon se përgatitjet për një hap të till mund të jenë bërë që para zgjedhjeve lokale.
“Natyrisht që është totalisht joserioze, është perversitet i skajshëm politik, amoralitet i paparë politik i sjelljes politike, ky gjest i cili ndodhi. Unë nuk kam se si ta cilësoj ndryshe. Kur bëhet fjalë për një perversitet kaq të skajshëm, besoni që pa pasur pikën e fajit por fillon dhe ndihesh i turpëruar dhe unë nuk e di se ndihen ata eksponentë të cilët i dhanë shtysë dhe e çuan procesin deri këtu ku e çuan”, tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët .
Në pranverë Aleanca për Shqiptarët ka Kongresin e partisë. Organet, thotë Sela, kanë të drejtë të kërkojnë përgjegjësi politike dhe dorëheqje, madje edhe nga vetë ai, nëse e konstatojnë që ajo është e nevojshme.