Sela-Gashi: Qeveria e re do të ketë jetëgjatësi të shkurtër

Krerët e Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe Alternativës (AAA), Ziadin Sela dhe Afrim Gashi të mërkurën në një konferencë për media para Parlamentit të Maqedonisë së Veriut kanë deklaruar se do të vazhdojnë t’i mbrojnë interesat e shqiptarëve dhe se kjo qeveri do të ketë jetëgjatësi të shkurtër. Sela deklaroi se BDI nuk ka aspak legjitimitet sepse votat i ka të blerë dhe të vjedhur.

Marketing

“Edhe këtë shantazh, të cilën e bëri ditën e zgjedhjeve vazhdoj me të njëjtën logjik dhe shantazhoi veten me kryeministrin shqiptar. Ajo që i cilëson ata post komunist në logjik dhe në bindje, natyrisht që nuk mund të bënte përjashtim nga forma në momentin që do të negocionin. E thonë edhe vet në paraqitjet e tyre, forma pa përmbajtje quhet simbolikë. Dhe fatkeqësisht BDI çdoherë mundohet të paraqesë formë dhe aspak përmbajtje. Kjo është simbolika e tyre”, deklaroi Ziadin Sela, kryetar i ASH-së. Ai theksoi se ata do të jenë në vazhdimësi së bashku me dhjetë deputetë për të mbrojtur interesin e qytetarëve.

Në anën tjetër, kreu i AAA, Afrim Gashi ditën e nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje mes LSDM-së dhe BDI-së e cilësojë si të rëndë për shqiptarët.

“Të martën u konstatua se është arritur një marrëveshje mes dy subjekteve prej të cilave njëra është e delegjitimuar plotësisht për shkak se ka heq dorë nga premtimi i saj kryesor kryeministri shqiptar. Andaj ne si përfaqësues i shqiptarëve, të 82 mijë votave dhe gjithë shqiptarëve tjerë që nuk e duan mashtrimin dhe e duan demokracinë tek shqiptarët jemi këtu për të ju thënë atyre se ne do të vazhdojmë t’i mbrojmë interesat e tyre. Do ta bëjmë betejën e fuqishme, nuk do të ndalemi asnjë ditë në këtë kuvend, duke i përdor gjitha mjetet demokratike që vullneti i shqiptarëve një ditë të vijë në vendin e vet”, theksoi Gashi.