Sela: Pas ftesës së NATO-s nevojitet unitet për referendum të suksesshëm

Ftesa për anëtarësim në NATO është lajm i mirë dhe detyrim për të plotësuar kërkesat e domosdoshme. Realizimi ftesës varret nga rezultati i referendumit dhe zbatimi i Marrëveshjes së Prespës.

Marketing

Prandaj, profesori universitar, Ylber Sela, thotë se pas marrjes së ftesës spektri politik dhe institucionet duhet të angazhohen maksimalisht që referendumi të rezultojë i suksesshëm.

“Shumë e rëndësishme është që tani qeveria e RM-së gjithë motivimin dhe atë që ka bërë deri tash ta konkretizojë duke u ballafaquar me rrethanat që do të na çojnë në një referendum të suksesshëm, sepse pa një referendum të suksesshëm e gjithë kjo do të binte poshtë dhe Maqedonia do të kthehej prapa, por ne të gjithë jemi optimistë dhe besoj se vetëm faktori ndërkombëtar, por edhe faktorët e brendshëm, sidomos faktori shqiptar, kanë luajtur një rol shumë aktiv dhe kontribuues, qoftë partia e cila është në pushtet, BDI, qoftë edhe partitë opozitare shqiptare, kanë qenë shumë konstruktive, besoj se edhe te pala maqedonase do të ketë reflektim që referendumi të dalë i suksesshëm”,- deklaroi profesori universitar, Ylber Sela.

Veç referendumit si çështje kyçe, anëtarësimit të plotfuqishëm do t’i paraprijnë edhe një sërë aktivitetesh dhe detyrime brenda vendit, por edhe ratifikimi në vendet anëtare të NATO-s. Sela sqaron procedurat.

“Normalisht që pas mbarimit të samitit do të hapet rruga e zhvillimit të procedurave që parasheh Traktati i Uashingtonit për shtetet që dëshirojnë të anëtarësohen në NATO. Janë diku shtatë procedura. Normal që bisedimet e pranimit do të shkrihen me një ekip të NATO-s, në fazën e parë, mandej, në hapin e dytë të procesit të pranimit, çdo shtet duhet të konfirmojë pranimin e saj, mandej qeveritë anëtare të NATO-s duhet të nënshkruajnë protokollet të cilat i parasheh Traktati i Uashingtonit, mandej ato duhet të ratifikohen dhe normalisht se ratifikimi duhet të pritet edhe referendumi se si do të shkojë që pala greke të ratifikojë dhe të nënshkruaj këto protokolle”,- theksoi profesori universitar, Ylber Sela.

Sela është optimist se të gjitha procedurat dhe detyrimet do të mund të plotësohen deri në janar të vitit 2019, kur Maqedonia do të depozitojë dokumentet e nevojshme në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe përfundimisht do të bëhet anëtare e NATO-s.

Marketing