Sela: Taravari duhet të japë dorëheqje

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, në intervistë për Televizionin Alsat tha se Arben Taravari nuk duhet pritur krahëhapur në Frontin Europian për shkak të lëvizjeve të tij të dyshimta politike.

Marketing

Sela tha se e pakta që mund të bëjë Taravari është të japë dorëheqje.

“Falja publike e politikanit është dorëheqja nga pozicioni sepse nëse këtë e bën do ta kuptojmë se ka reflektuar se ka bërë gabim, por nëse këtë nuk e bën atëherë do të kuptojmë se ky nuk ka reflektuar por përkundrazi, ka vesh një lëkurë tjetër në mënyrë që pastaj të na servoj diçka që është jo e mirë për shoqërinë në përgjithësi, për qytetarët e sidomos për shqiptarët”, tha Ziadin Sela.

I pyetur se çka nëse Ahmeti i ofron Taravarit 5 komuna në garën zgjedhore, Sela tha se nuk pranon nënçmim.

“Jo, megjithëse unë e kam bërë të qarta, nuk e di unë, Ali Ahmeti nëse ka Komuna për të shkepur majtas e djathtas është çështje e tij, por assesi nuk do të pranoj përulje, nënçmim dhe shkelje në raport me ndonjë partner brenda për brenda Frontit, e aq më pak në raport me z.Taravarin”, shtoi Sela.

Sela në intervistë pranoi se ka pasur kërkesa nga partitë në pushtet për kontakt komunikimi, duke shtuar se i është përgjigjur një kërkese por tha se përmendja e katër deputetëve është për të krijuar paqartësi në opinion.

“Ka pas goxha kërkesa që unë të vë kontakte komunikimi me këtë ose me atë dhe i jam përgjigj një kërkese dhe i kam thënë qëndrimet ashtu siç i them edhe këtu. Ne nuk japim fjalë në dy vende, ASH-ja që unë udhëheq, njerëzit që ka ASH, deputetët e saj. Ne në dy vende nuk japim fjalë jemi serioz”, theksoi Sela.