Sela vizitoi Fondin e Sigurimit Shëndetësor

Vizita e sotme e drejtorit të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Ylber Sela dhe bashkëpunëtorëve të tij, si drejtim pati Fondin e Sigurimit Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku u prit nga homologët e tij, Orhan Ramadani dhe Den Donçev.
Gjatë këtij takimi u fol për shumë çështje që kanë të bëjnë me zbatimin e dygjuhësisë në këtë institucion, veçmas për vështirësitë dhe dilemat që shfaqen gjatë këtij procesi. Faza e parë e zbatimit të dygjuhësisë në FSSH tanimë ka përfunduar, por faza e dytë po has në vështirësi dhe pengesa objektive për shkak të veprimtarisë shumë të gjerë në mbarë vendin, të cilat gjithsesi duhet të tejkalohen.
Edhe përkundër disa mospajtimeve të vogla që pati gjatë bisedës, të dyja palët ishin të mendimit se duhet të zbatohet ajo që është përcaktuar me Ligjin e Përdorimit të Gjuhës. Me këtë rast drejtori Ylber Sela ofroi ndihmë konkrete për sa i përket përkthimit dhe lekturimit të dokumenteve dhe formularëve të ndryshëm për nevojat e këtij institucioni.

Marketing