Një vit nga hyrja në fuqi e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i njëjti nuk gjen zbatim tek rreth 99% e institucioneve në vend. Nga Agjencia për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thonë se disa ministri si ajo e Financave, e Punëve të Jashtme apo Për Punë dhe Politikë Sociale, nuk kanë kërkuar aspak ndihmë për zbatimin e Gjuhës Shqipe.Këtë e them me shumë përgjegjësi, Gjuha Shqipe në institucionet që udhëhiqen nga maqedonasi, ka më pak interesim për zbatim, por nuk dua t’i amnistoj as edhe disa udhëheqës shqiptar. Nga sot, çdo Institucion, çdo dokument duhet ta ketë në dy gjuhë – deklaroi Ylber Sela, drejtor i Agjencisë për zbatimin e Ligjit të Gjuhëve.
Shumica e Institucioneve madje i janë përgjigjur Agjencisë, se nuk kanë nevojë për ndihmën e tyre lidhur me zbatimin e ligjit për gjuhët. Zyrtari i këtij Institucioni tha se ata nuk mund të ndërhyjnë në atë se me cilën gjuhë do të komunikojnë të punësuarit nëpër Institucione, por shto se me kalimin e kohës është e nevojshme që edhe shqiptarët të mësojnë gjuhën maqedonase, por edhe maqedonasit gjuhën shqipe.
Nga përgjigjet e marra nga pyetësorë, vlerësojmë se në 99% të përgjigjeve dy gjuhësia nuk respektohet ashtu siç parashikohet në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Ligji duhet të respektohet gjithsesi, pavarësisht se për cilin institucion bëhet fjalë. Ka ende institucione qe ende nuk kanë filluar me zbatimin e ligjit – tha Sinkron Marjan Patlixhankoski, Agjencia e Gjuhëve.
Agjencia ka përgatitur edhe një pyetësor për 641 Institucione, të dhënat e të cilit do të pasqyrohen në raportin vjetor të cilin deri më 31 mars duhet ta dorëzojë në Qeveri. Për rekomandimet e komisionit të Venecias lidhur me përdorimin e shqipes në gjyqësor, kreu i Agjencisë tha se kjo është çështje politike. Ligji për gjuhët u miratua më 11 janar të vitit 2018, ndërsa një vit më vonë u publikua në Gazetën Zyrtare.