Serbia formon ekipin kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës 

Serbia ka formuar grupin punues që është thënë se do të merret me koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore për të parandaluar anëtarësimin eventual të Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës.

Marketing

Grupi punues u formua me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, gjatë seancës të mbajtur më 5 prill në Qeverinë serbe. 

“Ky grup punues ka mbajtur mbledhjen e parë”, u tha në një njoftim të Qeverisë serbe. 

Grupi punues do të udhëhiqet nga Ivica Daçiç, që është kryediplomati i Serbisë, së bashku me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç. 

Anëtarë në këtë ekip do të jenë edhe ministrja serbe për Integrime Evropiane, Tanja Mishçeviç, dhe ministri i Tregtisë, Tomisllav Momiroviç. 

Formimin e këtij grupi e kishte paralajmëruar Vuçiçi një ditë më parë. Ai ka kërkuar nga institucionet shtetërore që të bashkojnë forcat për të parandaluar anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës. 

“Ne kemi detyra të vështira dhe të rëndësishme, dhe do të kërkoja nga të gjithë anëtarët e Qeverisë, pavarësisht se çfarë funksionesh do të kryejnë pas formimit të Qeverisë së re, të punojnë me përkushtim në kryerjen e këtyre detyrave”, deklaroi Vuçiç një ditë më parë gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Qeverisë serbe./REL