Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti ka deklaruar se Serbia do t’i dhurojë Institutit të Shëndetit Publik në Kosovë 1000 teste për koronavirus.
Ai shtoi se Kosova do t’i sigurojë edhe 2000 teste nga një marrëveshje e mëhershme. Hoti tha se të premten do të dihet po ashtu se kush e fiton tenderin edhe për 10,000-13,000 teste të tjera.
Nga 8 shkurti, në Kosovë janë testuar 3,915 persona, nga të cilët 449 kanë rezultuar pozitivë me sëmundjen Covid-19, që e shkakton koronavirusi.
Autoritetet kanë bërë të ditur se në territorin e Kosovës janë shënuar 12 raste të vdekjes si dhe 79 të shëruar, si pasojë e këtij virusi.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, kjo e fundit ka pasur gjithsej 600 teste të enjten.