Serbia ka liruar një shtetas të Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka njoftuar se Serbia e ka liruar shtetasin e Kosovës, Agim Gjocajn.

Marketing

Por, autoritetet e Kosovës, kërkojnë edhe lirimin e shtetasit tjetër të arrestuar në Serbi, Nezir Mehmetaj.

“Gjocaj u arrestua rreth dy javë më parë në mënyrë flagrante gjatë udhëtimit të tij transit nëpër territorin e Serbisë, ndërsa shtetasi tjetër Kosovar, Nezir Mehmetaj vazhdon të mbahet padrejtësisht në paraburgim tash e dhjetë muaj”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

“Një sjellje e tillë është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, marrëveshjen e lëvizjes së lirë të arritur në Bruksel, në vitin 2011 dhe në kundërshtim të plotë me frymën e marrëveshjes së zotimeve të Uashingtonit për normalizim ekonomik”, thuhet në komunikatë.

Më 1 korrik, Prokuroria e Serbisë ka ngritur aktakuzë për krime lufte, kundër shtetasit të Kosovës, Nezir Mehmetaj, pati konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, vëllai i të akuzuarit, Valon Mehmetaj.

Prokuroria në Beograd ka konfirmuar po ashtu për REL-in se ka ngritur aktakuzë ndaj N.M., për shkak të “dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: krime lufte kundër popullatës civile, gjatë periudhës qershor-korrik të vitit 1999”.

Autoritetet kosovare i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian të ndikojnë për lirimin e tij.

Mehmetaj ka qenë duke udhëtuar nga Zvicra për në Kosovë kur është ndaluar nga Policia e Serbisë.