Analisti politik, Daniel Server konsideron se Maqedonia në qershor do t’i fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe për pesë vite do të jetë nga fundi i procesit për anëtarësim.
Server është profesor i studimeve ndërkombëtare në Universitetin “Xhon Hopkins” dhe njohës i mirë i ngjarjeve në Ballkan.
“Nuk jam në biznesin e parashikimeve, por konsideroj se më se realiste është që Maqedonia për pesë vite të jetë nga fundi i procesit për anëtarësim në BE”, deklaroi Server për MIA-n, transmeton Koha.
Ai shtoi se kjo do të varet shumë nga stabilizimi i klimës vendore politike që do të mundësonte implementim me kohë të reformave.
“Lidhur me anëtarësimin në BE, Maqedonia është përballë dy sfidave, implementimit të “akis” (të drejtat dhe obligimet e përgjithshme të detyrueshme në të gjitha vendet anëtare të BE-së), si dhe pavarësia e gjyqësisë. Nëse këto reforma, të ashtuquajtura shtylla rezistuese të një ndërtimi, implementohen me kohë, Maqedonia është në rrugë të sigurtë të bëhet anëtare e BE-së”, deklaroi Server.