Prokuroria e Posaçme (SPAK) me ndihmën e ndërkombëtarëve është mundësia e fundit për mbylljen e tranzicionit shqiptar dhe shkallmimin e kësaj klase keqbërëse dhe mafioze politike, e cila ka tre dekada që vjedh, sundon dhe plaçkit Shqipërinë. Në këto rrethana, krerët e korruptuar po bëjnë përpjekje maksimale për sabotimin e SPAK-ut, me shpresë për t’i shpëtuar lakut të drejtësisë. Edhe pse hiqet si mbështetës i Reformës në Drejtësi, kryeministri Edi Rama po lëviz çdo gur për të shkrirë drejtësinë e re, në mënyrë që të mos ketë fatin e Ivo Sanader.
Në Kroaci, prokurorët specialë nisën hetimet për ish-kryeministrin kroat Sanader duke nisur që nga vlera e orës së dorës. Hetimet u thelluan, duke zbuluar pasuri të tjera dhe para korrupsioni jashtë vendit. Këtu SPAK e ka më të lehtë për të shkuar te fundosja e Edi Ramës pasi kryebashkiaku Erion Veliaj, është i fundit në vlerë statistikore që po shton numrin e heronjve dardhaxhinj të Ramës, të cilët kanë rënë një e nga një në betejat e pafundme për të shtuar zerot e milionave nga vjedhjet dhe grabitjet e parave të taksapaguesve. Stoiku kryeministër qëndron aty, në ballë të qeverisë të dardhaxhinjve, të cilët po e lënë të vetëm nga dita në ditë, pasi kanë marrë rrugën e vakancave në qelitë e burgjeve.
Ka rënë Arben Ahmetaj, Saimir Tahiri, Lefter Koka, Ilir Beqja, Jurgys Çyrbja, Alqi Bllako, Arben Ndoka, Jorgo Goro, Safet Gjici, Vangjush Dako, Lefter Alla dhe shumë të tjerë dhe sërish Rama kur arrestohen thotë se faji është i tyre. Tani që heronjtë kanë rënë një e nga një, kryedardhaxhiut nuk i bën derman as antiplumbi që ka veshur në trup për tu mbrojtur nga dëmet që i ka shkaktuar shqiptarëve nga ngrënësit e dardhave, shkruan Gazetasot.
Dosjet që rrezikojnë Edi Ramën
Po të gjithë e dimë që nuk ha kush dardha jashtë syve të Ramës. Nuk lë njeri të këpusë kokërr dardhe nëse nuk e lejon ai, nëse nuk e bekon ai, as gjethet e as barishtet në rrugë. SPAK po heton me themel dhe Rama është në alarm pasi prokurorët specialë teksa po çojnë gjysmën e qeverisë së tij në burg mund të gjejnë prova që implikojnë dhe kryeministrin. Inceneratori i Tiranës është rasti konkret. Në se i rikthehemi qëndrimeve të Ramës përballë akuzave të vazhdueshme se inceneratorët ishin e gjitha një skemë korrupsioni. Kuptohet se Rama atëherë, nuk ishte kaq parimor sa sot, përkundrazi ai është kundërpërgjigjur ashpër kujtdo që i kërkoi të ndalë një aferë të pastër korrupsioni. Kryesocialisti çoi në 2017 gjithë grupin parlamentar të PS, në oborrin e impiantit të trajtimit të mbetjeve në Elbasan.
Sapo kishin nisur akuzat e para për Lefter Kokën dhe inceneratorët. Barrikadë ndaj denoncuesve të korrupsionit, në rreshtin e parë, krah Ramës ishin ministrat Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Lefter Koka, Taulant Balla, Qazim Sejdini, madje e pranishme ishte edhe Stela Gugallja, një prej përfituesve të aferës. “Shëmbëlltyrë kuptimplotë e teknologjisë së fundit” e quante Rama inceneratorin. “Një investim për të cilën nuk kemi si të mos jemi krenarë”, u tha të pranishmëve. “U jam shumë mirënjohës ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Financave. Ky i fundit, megjithëse është gjirokastrit, në këtë rast e zgjidhi deri në fund qesen, gjë që ju siguroj, nuk është e lehtë”, e falënderoi Rama atëherë Arben Ahmetajn.
“Nuk keni parë gjë akoma, sepse ky është vetëm fillimi,” betohej kryeministri duke paralajmëruar ngritjen e inceneratorit tjetër në Fier dhe tjetrit në Tiranë. Sot faktet tregojnë të kundërtën dhe ish-ministri socialist drejton nga arratia gishtin te Rama duke e quajtur përgjegjësin kryesor. Hetimet për këtë aferë vazhdojnë dhe llogari në SPAK ka dhënë e gjithë kupola e mazhorancës. Pritet që edhe kryeministri Edi Rama të japë sqarime edhe për një firmë që e implikon në këtë aferë. Në fund do të shohim nëse prokurorët kanë guxim që të godasin “kokën” e këtij megaskandali që iu ka grabitur shqiptarëve shuma marramendëse parash.
McGonigal
Përveç inceneratorëve, SPAK ka në dorë edhe dosjen McGonigal që po hetohet e plotë. McGonigal pranoi fajësinë për fshehjen e faktit se kishte marrë 225,000 dollarë nga shqiptaro-amerikani, Agron Nezaj. Zoti McGonigal pranoi të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kreut të qeverisë, Dorian Duçka. Dyshja Neza–Duçka kanë realizuar disa takime të ish-agjentit McGonigal me kryeministrin Rama, ku ndër të tjera është diskutuar për disa fusha naftëmbajtëse në jug të vendit. Këto të fundit çuditërisht iu dhanë një kompanie me lidhje të forta ruse, në shkelje të ligjit sipas vendimeve gjyqësore.
Pra, shpërblimi i premtuar për ish–agjentin McGonigal shkonte përtej vlerës 225 mijë dollarë. Qartazi, në këtë rast kemi të bëjmë me “Korrupsion aktiv të nëpunësve të huaj publikë”, një vepër penale e dënueshme nga legjislacioni penal shqiptar. Drejtësia amerikane e ka gati dosjen dhe prova më e fortë për implikimin e liderit shqiptar në korrupsion është vetë fjala e “McGonigal”. Prokurorët specialë të SPAK kanë çuar letër-porosi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë të gjithë informacionet në duar dhe kjo pritet të ndodhë shumë lehtësisht, pasi presidenti Donald Trump ka emëruar Dan Bongino si zëvendësdrejtor të FBI-së. Për të gjithë ata që nuk e mbajnë mend, Bongino ka qenë më parë ushtarak dhe pjesë e shërbimit sekret amerikan, teksa u fokusua te bota e medias më pas, ku ka trajtuar dosjen “McGonigal” dhe është ai i cili shkroi një sërë artikujsh në mediat amerikane për lidhjet kriminale të Edi Ramës me Kartelin famëkeq Sinaloa, tashmë të shpallur si organizatë terroriste nga Presidenti Trump.
Tuneli i Llogarasë
Përveç, aferës së inceneratorëve dhe “McGonigal”, kryeministrin Edi Rama mund ta fundosë ministrja Belinda Balluku pasi laku i saj po ngushtohet në Prokurorinë e Posaçme me aferën e Tunelit të Llogarasë. Sipas dosjes që ndodhet në tryezën e SPAK, projektit të tenderit të tunelit të Llogarasë iu fryn kostot me 30 milionë euro, që i shkuan një kompanie turke, e cila nuk bëri asnjë punim. Gjithashtu, kemi të bëjmë me një fitues të përcaktuar, pas një takimi në Ankara, të zhvilluar në datën 3 Qershor 2021, 21 ditë para rishpalljes së tenderit. Në këtë takim ka qenë e pranishme Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama.
Por si u arrit kjo marrëveshje? Ministrja njoftoi zyrtarisht në tetor 2021, se fitues i zbatimit të projektit që lidh Vlorën me Palasën ishte shpallur bashkimi i konsorciumit turk: – INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK INSAAT SANAYI VE TICARET LIMITED NIPT 4780437420 (regjistri i biznesit ne Stamboll) – SIRKETI ASL INSAAT TAAHHUT VE SANAYI TICARET LIMITED SIRKETI me NIPT 0860072787. Një muaj pasi fituan tenderin, në nëntor 2021, konsorciumi turk i kompanive themeluan në Shqipëri degën e tyre “INTEKAR – ASL”. Kompania “INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK INSAAT” zotëron 30% të aksioneve me përfaqësues Serkan Çam dhe kompania tjetër “ASL INSAAT TAAHHUT” zotëron 70% të “INTEKAR ASL” me përfaqësues Abdulkadir Kart. Kompania ASL Construction është në pronësi të Abdulkadir Kart, ish-deputet i AKP-së në Rize, krahu i djathtë dhe njëherazi fqinj i Erdogan.
Dukshëm, ndikimi i kësaj kompanie është shtrirë edhe në Shqipëri, falë lidhjeve miqësore të Edi Ramës me presidentin turk, Erdogan. Sipas mediave të huaja, kompania në fjalë ka qenë në qendër të akuzave në Turqi, për favorizim në tendera, ku i janë dhënë 4.7 miliardë lira turke nga fondet publike, vetëm në 10 projekte zhvillimi. Dyshohet se ka qenë vetë Edi Rama që i ka kërkuar Ballukut që tenderin për tunelin e Llogarasë t’ia kalojë kompanisë turke për t’i bërë qokën “Sulltanit”. Balluku nuk pranoi në fillim , por marrëveshja u arrit dhe pazari u firmos në Turqi, një fakt i konfirmuar edhe nga ish-ministri në arrati Arben Ahmetaj, i cili e denoncoi i pari këtë aferë. Nëse SPAK e çon deri në fund hetimin dhe Balluku nuk pranon të bëjë burg për qokat e Ramës, atëherë situata do të jetë tronditëse për kryeministrin.
Përgjimet e SKY dhe lidhjet me bandat
Të tjera fakte dhe prova që mund t’i bëjnë “gropën” Edi Ramës në SPAK janë përgjimet e SKY ECC, të cilat po fundosin kriminelë, por po tregojnë dhe lidhjet e tyre të ngushta me politikën, përkatësisht PS. Po përmendim në këtë mes dy raste të freskëta. Në dosjen e SPAK për bandën e Suel Çelës flitet për shembull për një biznesmen të quajtur Bujar, ose Marsel Shega. Por, po të shihet aktiviteti i tij, ai është favorizuar në marrjen e shumë tenderave shtetërore dhe punëve publike. Kompanitë e tij Viola Green dhe Wonder Green kanë përfituar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, në Elbasan, Berat, Peqin, Kuçovë duke u bërë kështu kanali përmes të cilit banda e Elbasanit ushqehej me të ardhura publike.
Në dosje shihet gjithashtu se dy nga të arrestuarit si pjesëtarë të bandës, kanë arritur të katapultojnë motrën e tyre, direkt e në paradhomën e Edi Ramës. Adelajda Roka mban prej një viti detyrën e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, nga kalojnë të gjitha lejet e ndërtimit në vend. Në kontrollin e banesës që i’u bë njërit prej vëllezërve, thuhet se u gjetën edhe plane biznesi që kalonin nga Rama dhe e motra, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë midis kriminalitetit dhe një sektori fitimprurës të rregulluar drejtpërdrejt nga kryeministri. Pra, banda kriminale e Elbasanit, jo vetëm terrorrizonte në paprekshmëri të plotë qytetin, jo vetëm korruptonte policë e gjyqtarë, por partia në pushtet kujdesej ta furnizonte dhe me para publike. Ajo merrte tendera dhe filtronte lejet e ndërtimit që nënshkruan me dorën e tij kryeministri.
Këto veprime duhet të shpjegohen në SPAK nga Rama. Përveç Suel Çelës, Rama implikohet edhe në dosjen e Çyrbjes. Nga zbërthimi i bisedave në SKY ECC, u zbulua se në favor të votave për t’u zgjedhur si deputet në qarkun Durrës në zgjedhjet e 2021, Çyrbja, informonte bosë të krimit për operacionet policore me qëllim që ata të mos arrestoheshin. Ndërkohë që bandat kanë ndikuar sipas SPAK pranë zyrtarëve socialistë që emri i Çyrbjas të ishte në listë të sigurt për deputet. Në këtë situatë del drejtpërdrejt vetë kryeministri Edi Rama. Lista e deputetëve në Durrës që u ndryshua nga krimi në zgjedhjet e 2021 mban firmën e kryesocialistit. Në vijim nuk është çudi që të shohim Ramën në zyrat e SPAK për këtë çështje.
Frika e Ramës
Në këtë mes, Edi Rama ka frikë se SPAK i nis një hetim pasuror. Gjatë kohës kur ishte në opozitë, bie në sy që kryeministri nuk ka deklaruar qoftë edhe një lekë për shitjen e pikturave. Ai ka deklaruar vetëm të ardhura nga shitja e librit ‘Kurban’. Dy vjet pasi erdhi në pushtet, Rama nisur të deklarojë shuma monetare nga shitja e shkarravinave. Në vitin 2015, Rama deklaron 2 694 009 të ardhura nga puna artistike dhe libri ‘Kurban’. Në vitin 2016, Rama deklaron krijimtari 1 285 665 lekë të ardhura nga puna artistike. Në vitin 2017, Rama deklaron 3 894 352 lekë nga shitja e pikturave. Dhe për vitin 2018, Ramës i ka ecur mirë biznesi i shitjes së veprave të artit, duke siguruar plot 4 633 760 lekë të reja. Në 2019, paga si kreu i qeverisë shqiptare dhe shitjet e veprave artistike kanë çuar një shumë prej rreth 6.6 milionë lekësh të rinj në llogarinë e Edi Ramës.
Ajo që bie në sy në vitet 2021 dhe 2022 është se vetë Rama ka deklaruar pagën si Kryeministër dhe shumë pak të ardhura nga veprat e tij artistike. A thua të jetë e vërtetë se Edi Ramës i erdhi frymëzimi i madh për të shkarravitur pasi u bë kryeministër, funksion i cili të lë shumë pak kohë të lirë?! Apo Edi Rama ka përdorur pushtetin e tij dhe pasurinë e shqiptarëve, për të shitur pikurat dhe për të hapur ekspozita nëpër Evropë? Kjo e dyta ka shumë gjasa të jetë e vërteta. Sapo Rama mori pushtetin, befas nisi interesimi i madh për pikturat e tij. Kjo është dhe frika e kryeministrit. Nëse i futet një hetim pasuror siç ka ndodhur me familjen “Berisha”, “Meta”, por edhe bashkëpunëtorët e tij, Erion Veliaj, apo dhe Hametaj, SPAK mund të shkojë deri te persona që i kanë blerë pikturat Ramës, çfarë interesash kanë, kanë marrë ndonjë tender dhe koncesion etj. Nuk dihet nëse kryeministri do t’i shpëtojë SPAK-ut, në kushtet kur nuk deklaron se kush ja ka financuar sarajet në Surrel, kur i ka financuar ndërhyrjet në Kryeministri, kujt ja ka shitur pikturat, kush ja ka financuar çeljen e ekspozitave në Evropë?
Celulari
Po ashtu Edi Rama është në panik se SPAK në kuadër të këtyre hetimeve dhe aferave mund t’i sekuestrojë celuarin. Situata e tij e vështirë u shfaq pas zhvillimeve të fundit lidhur me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Pas këtij arrestimi, Rama ka shfaqur një nivel të lartë frike dhe paniku, duke u shqetësuar për mundësinë që hetimet e SPAK-ut të zgjaten dhe të përfshijnë edhe të tjerë të lartë të qeverisë, përfshirë veten. Në një deklaratë të ashpër të bërë gjatë dëgjesës së grupit parlamentar socialist me kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, Rama ka kërcënuar SPAK-un, duke thënë se nuk do të lejojë që t’i merret celulari.
“Ta përdorin pavarësinë për të bërë drejtësi dhe jo politikë. Kur them politikë është kjo: meqë njërin po e lëmë në ballkon, të kapim 3 nga këta të tjerët. Meqë kapëm kryetarin e Bashkisë, të kapim dhe këtë tjetrin për diplomë. Të përfundojë njeriu në SPAK për diploma…Çfarë është kjo? Në këtë kuptim e kam kur them politikë. Ndjekin mediet, kompleksohen dhe bëjnë balet. Dhe mos të bëjnë gabim të kërkojnë telefonin tim sepse boll i kanë, kanë mbledhur të gjithë telefonat e Shqipërisë atje. Të merren me faktet”, është shprehur Rama. Në vend që të mbështesë plotësisht proceset hetimore, ai po përpiqet të pengojë avancimin e tyre duke u munduar të diskreditojë SPAK-un dhe të frenojë çdo tentativë që mund të shkojë përtej arrestimit të Veliajt. Në këtë mënyrë, Rama po tregon se nuk është vetëm Veliaj ai që mund të ketë probleme ligjore, por ai vetë mund të jetë i përfshirë në një rrjet më të gjerë hetimesh. Madje vetë Monika Kryemadhi kur SPAK i sekuestroi telefonin dhe nga mesazhet që gjeti aty u zbuluan afera, tha se peshku i madh në celularin e saj ishte Edi Rama.
“Kush ja ka paguar kurimin e djalit në Amerikë dhe sa i ka kushtuar? E dyta, nuk është e vërtetë, doktorit do ja kenë ngatërruar. Mos e ka fjalën për buxhetin që Romana Vlahutin kishte marrë nga Rama për të blerë deputetët e opozitës për të votuar reformën në drejtësi. Peshku i madh në telefonin tim është Edi Rama, mos u shqetësoni”, tha Kryemadhi pak javë më parë. Pyetja që ngrihet është, se nga çfarë ka frikë kryeministri nëse SPAK i sekuestron celularin?