Shabani: Nga 1 janari rriten pagat për 5% në ‘Higjienën Komunale’

Me vendim të Këshillit drejtues të Ndërmarrjes “Higjiena Komunale” dhe Këshillit të Qytetit të Shkupit, nga një janari i vitit 2019, të punësuarit në këtë ndërmarrje do të marrin paga më të larta.

Marketing

Siç bën të ditur drejtori i kësaj ndërmarrje, Abdulsamed Shabani, rritja e pagave do të jetë mbi 5%.

“Rritja e pagave do të jetë te sektori i “Higjienës Komunale”, sidomos ata të cilët i kemi në teren dhe i kemi në rrugë, tek pjesa më e ndjeshme e punëtorëve. Ata që për çdo ditë janë në rrugët e Qytetit të Shkupit do të ketë një rritje. Tani me vlerësimin më të ri të pikave unë besoj se nga janari ata veç më do të kenë rritje minimum 5% por ndoshta edhe më të lartë”,- deklaroi drejtori i “Higjienës Komunale”, Abdulsamed Shabani.

Shabani njëherit paralajmëron se deri në prill të vitit të ardhshëm do të ndërmerren masa për qentë endacakë, që është shndërruar në problem serioz për komunat dhe rrezik për qytetarët. Në këtë drejtim ai kërkoi edhe bashkëpunim nga sektori joqeveritar.

“Duhet të kuptohemi edhe nga ana e sektorit joqeveritar që merren me ruajtjen dhe përkëdheljen e qenve endacakë, sepse kemi raste që vijmë në kundërshtim me ta, që nuk është interesi ynë ai, sigurisht që për vitin 2019 këtë fotografi do ta ndryshojmë”,- tha drejtori i “Higjienës Komunale”, Abdulsamed Shabani.

Duke prezantuar planet për vitin e ardhshëm, Shabani potencoi se në bashkëpunim me qytetin e Shkupit planifikohet furnizimi i qytetin me 450 kontejnerë të rinj, 950 shporta të reja, katër automjeteve komunale, si dhe enë të reja me kapacitet prej 5 metra kub të destinuara për mbledhjen e mbeturinave industriale nga personat juridikë.