Zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, sot më 30 qershor, mbajti fjalim në ceremoninë para Komandës së Forcave Mjekësore të Dedikuara Ballkanike (BMNS), e organizuar me rastin e dorëzim-pranimit të kryesimit me Bordin Drejtues të BMNS-së, dorëzim-pranimit të detyrës së komandantit të BMNS-së, si dhe dorëzim-pranimit të pozitës “shtet kornizë” të BMNS-së.
Me këtë ceremoni, vendi ynë merr komandimin me BMNS-në dhe pozitën “shtet kornizë”, ndërsa kryesimin me Bordin Drejtues e merr Sllovenia. Në ceremoni mori pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Sashko Lafçiski.
Në fjalimin e tij, zëvendësministri theksoi se Forcat Mjekësore të Dedikuara Ballkanike janë dëshmi se një ide e bazuar në besim, partneritet dhe përgjegjësi të përbashkët mund të shndërrohet në një model të suksesshëm dhe të njohur të bashkëpunimit rajonal.
“Në kohën kur rreziqet e sigurisë bëhen gjithnjë e më komplekse, ndërsa fatkeqësitë natyrore, krizat shëndetësore dhe sfidat humanitare nuk njohin kufij shtetërorë, asnjë vend nuk mund t’i ndërtojë i vetëm të gjitha kapacitetet e nevojshme. Pikërisht për këtë arsye, Forcat Mjekësore të Dedikuara Ballkanike paraqesin shembull se si, përmes bashkimit të njohurive, resurseve dhe aftësive, mund të ndërtojmë një sistem më të fuqishëm se shuma e pjesëve të tij të veçanta”, tha Shabani.
Ai shtoi se fakti që vendi ynë është nikoqir i Organizatës së Përhershme paraqet mirënjohje dhe dëshmi për rolin tonë si partner i besueshëm, si shtet që beson në dialog, bashkëpunim dhe zgjidhje të përbashkëta. Sipas tij, marrja e funksionit të komandantit të BMNS-së është akt me rëndësi të veçantë për Armatën e Maqedonisë.
“Kjo nuk është vetëm nder. Kjo është përgjegjësi e madhe. Përgjegjësi për të vazhduar zhvillimin e kapaciteteve mjekësore shumëkombëshe, për të siguruar trajnim cilësor, pajisje bashkëkohore, ndërveprueshmëri dhe gatishmëri të lartë të njësisë për të gjitha misionet dhe detyrat që mund të paraqiten në të ardhmen. Jam i bindur se profesionistët tanë do ta arsyetojnë besimin që u është dhënë dhe do të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të Forcave Mjekësore të Dedikuara Ballkanike si kapacitet rajonal i respektueshëm, plotësisht në përputhje me standardet e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara”, tha zëvendësministri.
Në ceremoni u drejtuan edhe komandanti i deritanishëm dhe komandanti i sapoemëruar i BMNS-së, koloneli Velko Miliq dhe koloneli Dragan Vojneski.
Në ceremoni foli edhe ambasadorja e Norvegjisë, Kristin Melsom, e cila theksoi se vendi i saj mbështet në mënyrë aktive zhvillimin e kapaciteteve dhe ndërveprueshmërinë e BMNS-së.
Sot u shënuan edhe dy jubile të rëndësishme: 15 vjet nga nisja e iniciativës për formimin e BMNS-së dhe 10 vjet nga themelimi dhe hapja e Organizatës së Përhershme të BMNS-së me seli në Shkup. Me këtë rast, u ndanë edhe mirënjohje për personat meritorë për zhvillimin e kësaj iniciative gjatë periudhës së kaluar. / Aktuale.mk
