Shabani: Vaksina kineze nuk do të ketë nevojë për regjistrim në Agjencinë e Barnave

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 394 raste të reja nga 2236 teste të bëra. 9 pacientë humbën jetën, ndërsa 387 të tjerë u shëruan. Por, për të ndalur këtë trend, synimi është drejtë vaksinimit. Andaj për vaksinën kineze nuk do të ndiqet procedura e njëjtë e furnizimit si me ato amerikane. Meqenëse edhe ky ilaç është i ri në vend, nuk do të ketë nevojë regjistrimi i tij në Agjencinë e Barnave, por do të përdoret një nga dispozitat e Ligjit aktual për barna për të bërë importim emergjent. Drejtori i MALMED tha se cila do qoftë vaksinë që vjen e para, menjëherë do të veprojnë.

Marketing

Nuk është patjetër të kemi regjistrim të barnave në këtë rast të vaksinave në shtetin tonë. Në qoftë se e merrni më herët rastin me kompaninë Pfizer, me insistimin e tyre ishte iniciativa që për ti regjistruar fillimisht vaksinat në vend dhe pastaj të mund ti importojmë. Besoj që në rastin me vaksinat kineze nuk do ta kemi, do të shohim për disa ditë cilat do të jenë kërkesa e tyre konkrete. Varësisht prej marrëveshjes ne do ta aprovojmë menjëherë për ti kryer procedurat interne deri në lëshimin në përdorim të vaksinës kineze – tha Lirim Shabani, Drejtor i Agjencisë së Barnave MALMED.

Përveç plan veprimit për imunizim të popullsisë, edhe logjistika është gati, në pritje të vaksinave. Ndërkohë, kanë arritur edhe dy frigoriferë të tjerë të posaçëm për ruajtjen e vaksinës së kompanisë Pfizer. Por, nga dy të parët vetëm njëri është aktivizuar dhe mbetet i zbrazët. Tre të tjerët janë në depo meqë ende nuk ka vaksinë. Një sistem elektronik monitoron hapësirën për defekte eventuale.

“Në një nga dhomat e sterilizuara të Institutit të Transfuziologjisë, këtu janë frigoriferët për deponim të vaksinës anti kovid. Njëri prej tyre i posa ardhur është edhe ky frigorifer me deri -80°C që ka temperaturën optimale për ruajtjen e vaksinës Pfizer, ku kapaciteti tij është rreth 100 mijë doza”.

Për menaxhimin e vaksinimit do të shfrytëzohet infrastruktura aktuale shëndetësore dhe kuadri i specializuar për dhënie të vaksinave, të cilët deri më tani kanë bërë vaksinime të tjera në vend. Sipas autoriteteve shëndetësore, sistemi organizativ do të adoptohet sipas kushteve dhe në rast të shtimit të vaksinimit do të përdoren hapësira shtesë dhe kuadër plotësues. Ndër të tjera, plani nacional parasheh që të sigurohet vaksina edhe nga rreziqet e vjedhjes dhe të falsifikimit të vaksinës.

Marketing