Vijon puna intensive për të rifilluar mësimin në shkollat e padëmtuara në zonat më të prekura nga tërmeti, lajmëron ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Po kështu thuhet se njëkohësisht, është gati plani i zhvendosjes si dhe është siguruar transporti i të gjithë nxënësve nga shkollat e dëmtuara drejt shkollave pritëse.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Besa Shahini ka inspektuar nga afër shkollën e dëmtuar 9-vjeçare “Ramazan Subashi” në Marikaj, Vorë. Më pas, ka zhvilluar një takim me mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Marqinet”, Vorë, e cila do të jetë edhe shkolla pritëse për nxënësit e shkollës “Ramazan Subashi”.
Shkolla e dëmtuar është afërsisht 5 km nga shkolla pritëse dhe për këtë Ministrja Shahini nënvizon se “Transporti i nxënësve është siguruar tashmë nga Zyra Vendore Arsimore Vorë dhe mësuesit do t’i shoqërojnë nxënësit nga Marikaj tek shkolla pritëse”.
“Mësuesit e dy shkollave kanë dy ditë që përgatiten për rifillimin e mësimit, duke bërë planet e daljeve emergjente të sigurta në rast tërmeti dhe duke u përgatitur për pritje të ngrohtë të nxënësve”, shprehet ndër të tjera Znj. Shahini.
Gjatë inspektimit, Ministrja Shahini ka kërkuar që rifillimi i mësimit të bëhet me fleksibilitet në ditët e para dhe të fillohet me një informim shumë të mirë për t’u mbrojtur dhe më pas për të marrë masa në rast emergjence. Në këtë kuadër, MASR ka vënë në dispozicion dhe ka publikuar gjithashtu edhe edhe draft-udhëzimin mbi marrjen e masave të para mbrojtëse në rast emergjencash.
“Tre ditët e para le ta nisim me fleksibilitet mësimin dhe të mësojmë ndjesitë e nxënësve, në mënyrë që ta kalojmë këtë gjendje emocionale që la pas tërmeti i 26 Nëntorit dhe pas-tërmetet që vijuan. Çdo shkollë tashmë ka një plan të qartë dhe të detajuar për mbrojtjen ndaj dukurive natyrore siç është tërmeti, si dhe për daljen emergjente të të gjithë nxënësve dhe mësuesve nga godinat e shkollave. Çdo kat ka një koordinator përgjegjës për daljen emergjente”, u shpreh ministrja.
Shkollat janë inspektuar dhe po inspektohen sërish për shkak të pas-goditjeve të tërmetit, për të garantuar siguri të plotë dhe ambiente të ngrohta për nxënësit në mënyrë që të kemi sa më parë një rikthim të mirë të normalitetit.