Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, nëpërmjet profilit të tij në Facebook ka bërë thirrje për ta përkrahur Shaip Kamberin nga Lugina dhe koalicionin “Koalicioni i shqiptarëve të Luginës” i cili kërkon një vend në Parlamentin e Serbisë, transmeton TetovaSot.
“Nesër është ditë vendimtare për shqiptarët në Luginë. “Koalicioni i shqiptarëve të Luginës”, për herë të tretë kërkon mbështetjen për sigurimin e një vendi në Parlamentin e Serbisë.
Ftoj të gjithë elektoratin shqiptar në Luginë që nesër në mënyrë masive t’iu drejtohen qendrave të votimit, sepse Shaip Kamberit i duhet mbështetja e të gjithëve si kandidat i vetëm për të përfaqësuar votuesin shqiptar në Serbi, sepse zëri i tij duhet të dëgjohet ashtu siç është dëgjuar deri më tani.
Nesër, të gjithë rrugët çojnë në Vendvotimin numër 6 në Tërnoc”, ka shkruar Ahmeti.
Ndërkaq, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Shaip Kamberit, i cili në koment ka falenderuar liderin e BDI-së për përkrahjen dhe përkushtimin ndaj Luginës së Preshevës.
“Faleminderit shumë Ali Ahmeti për përkrahjen dhe përkushtimin ndaj Luginës së Preshevës” i shkroi Kamberi Ahmetit.