Shaip Kamberi në pritje të mandatit në Serbi, votohet në Tërnoc të Bujanocit

Banorët e Tërnocit në Bujanoc i janë drejtuar për herë të tretë kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre për deputetin në parlamentin serb.

Marketing

Shaip Kamberit, i cili është kryetari i koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, i nevojiten 650 vota për t’u rizgjedhur deputet. Deri në orën 13:00 vetëm 20 për qind nga 1mijë e 100 votues që ka kjo komunë i janë drejtuar qendrës së votimit.

Përsëritja e votimit në këtë komunë erdhi pasi Komisionin Zgjedhor në serbi e shpalli të pavlefshëm rezultatin e parë, ku Kamberi siguroi 13 mijë e 697 vota,të mjaftueshme për t’u bërë deputet. Vet Kamberi ka deklaruar se vendimi ka ardhur pasi pushteti “autoritar” i presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryetarit të Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, po tentojnë të përjashtojnë shqiptarët nga institucionet.

Nëse Kamberi fiton edhe këtë herë votat e mjaftueshme, Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të përfaqësohen vetëm 1 deputet, nga tre që ishin në parlamentin prej 250 vendesh të Serbisë. Shkak për këtë rënie të përfaqësimit u bë dalja në zgjedhje të ndarë e jo të bashkuar.

Kryetari i koalicionit të Shqiptarëve të Luginës ka marrë mbështetje edhe nga presidenti Ilir Meta dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Ata i kanë bërë thirrje shqiptarëve të Tërnocit të dalin dhe të votojnë Kamberin.