“Një këngë e papërshtatshme për të konkurruar në Top Fest”. Ky përcaktim për Ezanin në formën e një “stand up comedy” në një prej lokaleve të kryeqytetit që u bë viral në rrjete sociale, ka sjell përplasje përtej virtualitetit.
Si fillim ishte imami i xhamisë së Rrugës së Kavajës, Ahmet Kalaja, i cili denoncoi në Facebook djalin që me shaka përmendte ezanin si një këngë të papërshtatshme për “Top fest”.
Sipas Kalasë lokali me këtë ngjarje nxiste urrejtjen fetare, nxiste islamofobinë në ambientet publike, diskriminonte publikisht fenë islame, si dhe tallej me simbolet e fesë, ndaj kërkoi reagimin e menjëhershëm të institucioneve shtetërore si dhe ju drejtua rinisë për bojkotimin masiv të lokalit.Por edhe pse imami Kalaja kërkoi që reagimi i besimtarëve të ishte sa më qytetar, nuk kanë munguar edhe kërcënimet me jetë të pronarëve. Për këtë arsye, pronarët vendosën të mbyllin dyert e lokalit deri në qetësim të situatës.
Ndërkohë që në rrjete sociale, Corner Comedy club shkruan se e gjitha është një keqkuptim që ka lindur nga një shaka paqësore, e bërë pa asnjë qëllim përdhosës apo tallës.
Në një status në instagram pronarët e lokalit sqarohen se “komedia përdor mjete të ndryshme për të shkaktuar hilaritet dhe qëllimi ynë me shakanë në fjalë ishte të vinim krah për krahu dy ndodhi, të cilat nuk kanë asnjë pikë takimi me njëra tjetrën dhe bëhen bashkë vetëm falë një loje fjalësh që në këtë rast është fjala ezan. Ne jemi të vetëdijshëm që ezani nuk është këngë, por një lutje fetare. Dhe nëse pyesni se nga na lind e drejta të bëjmë shaka me fenë. Këtu do t’iu ndalojmë sepse është e drejta jonë. E drejta e fjalës”.