Nën përcjelljen e riteve fetare islame dhe në prezencën e shumë mysafirëve nga vendi dhe jashtë, në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup, reisit të ri të BFI-së, Shaqir Fetahut, iu dorëzua “Menshura”, apo ndryshe i njohur si dekreti islam për kryerjen e detyrës së Kryetarit të BFI-së. Sipas Kryetarit të ri të BFI-së, Shaqir Fetahut, kjo është një ditë e madhe për të gjithë myslimanët e vendit dhe se do të jenë në krye të BFI-së ashtu siç thonë parimet e Islamit.
“Sot ishte një ditë e madhe dhe shumë e rëndësishme për të gjithë besimtarët dhe për të gjithë pjesëtarët e Islamit. Sot dhamë betimin se do të jemi në krye të detyrës mu ashtu siç kërkojnë parimet e Islamit. Do të mundohemi maksimalisht që BFI të jetë kreator dhe subjekt kreativ dhe pozitiv në shoqërinë tonë, për ta ruajtur dashurinë ndaj njëri-tjetrit, bashkëjetesën, multi-konfesionalitetin, për ta ngritur vetëdijen për paqe dhe tolerancë, për solidaritet, për humanitet dhe për të qenë totalisht në shërbim të veprës më madhe që krijoi Zoti e që quhet njeri.”,- deklaroi kryetari i BFIM-së, Shaqir Fetahu.
I pranishëm në ceremoni, zëvendëskryetari i Bashkësisë Islame i Kosovës, Ahmet Rama, uroi reisin e ri për detyrën dhe uroi që njerëzit e tij përreth të jenë të besueshëm.
“Myftiut i uroj shëndet pikë së pari, i uroj sukses, dhe uroj që ata që janë afër tij të jenë të sinqertë e të bashkëpunojnë, sepse pa marrë parasysh se sa është një njeri i aftë apo i fortë, nëse nuk e ka rrethin nuk mund të bëjë asgjë.”,- u shpreh zëvendëskryetari i BIK-së, Ahmet Rama.
Për Bujar Spahiun nga BFISH, Bashkësitë Fetare në Maqedoni luajnë një rolë të rëndësishëm dhe janë një zë i fuqishëm i paqes sociale të këtij vendi.
“Sot në kohën e globalizimit kemi më shumë nevojë se kurë që ne të bashkohemi në mendimet tona, në harmonitë tonë, në dialogun tonë dhe në mesin e të gjithë njerëzve, dhe në dialogun tonë ndërfetar këtu dhe anekënd botës.”,- theksoi kryetari i komunitetit mysliman i Shqipërisë, Bujar Spahiu.
E për Aziz Hasanoviqin nga Bashkësia Fetare Islame e Kroacisë, shqiptarët, turqit dhe boshnjakët janë autoktonë në këto vende dhe janë më të përgjegjshmit për situatën momentale të islamit dhe të vendit në përgjithësi.
“Shqiptarët, turqit dhe boshnjakët janë popuj autokton evropianë dhe janë më të përgjegjshëm për gjendjen e islamit dhe normale dhe vlerat islame, sepse Islami është në gjysmën e rrugës së saj dhe si të tillë ne duhet ta inaugurojmë dhe ta prezantojmë këtu edhe Islamin në vendit tuaj dhe në të gjithë Evropën.”,- potencoi Aziz Hasanoviç nga Bashkësia Islame e Kroacisë.
Të pranishëm në ceremoni ishin edhe përfaqësues të partive politike dhe përfaqësues institucionesh.