Shaqiri: Administrata shtetërore,pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë

Sot në parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u zhvillua Komiteti i pestë me radhë për marrëdhënie mes bashkësive, ku mbajti fjalimin e tij dhe Ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Jeton Shaqiri.

Marketing

“Fryma e re që erdhi në Republikën e Maqedonisë së Veriut pas Marrëveshjes së Ohrit, ndikoi ndjeshëm në ndarjen e pushtetit dhe përfaqësimit etnik brenda përbrenda shtetit. Ideja e marrëveshjes së këtillë për ndarje të pushtetit ka qenë që të gjitha bashkësive etnike në Maqedoni t’u garantohet pjesëmarrja politike, shoqërore dhe kulturore, si dhe vetëshprehja në shtetin e Maqedonisë së Veriut”, hapi fjalimin e tij Shaqiri.

Ndër të tjera, Jeton Shaqiri tha se Ligji për Punonjësit Publik parashikon një mekanizëm për zbatimin e parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të anëtarëve të bashkësive etnike, në nivelin e secilit prej institucioneve në sektorin publik, dhe bazuar në nevojat e vetë institucioneve të shprehura përmes planeve vjetore për punësim.

“Një hap shumë i rëndësishëm që u realizua gjatë këtij viti ishte edhe vetë sistemimi i të punësuarve me Marrëveshjen kornizë nëpër vendet përkatëse të punës, me çka u avancua ndjeshëm çështja e përfaqësimit të drejtë në insitucione ku kishte më tepër mungesa, përmes programit të ashtuquajtur K-5”, potencoi Jeton Shaqiri.

“Një gjë që duhet pranuar si fakt është se administrata publike ka ndryshuar me hov të madh vitet e fundit, duke shënuar më tepër ndryshime dhe padyshim duke qenë më diverse. Unë si ministër për shoqëri informatike dhe administratë ju siguroj se administratën shtetërore e shoh si pjesë të rëndësishme të shoqërisë sonë, e cila i takon çdo qytetari të vendit pa marrë parasysh përkatësinë e tij etnike”, përfundoi fjalimin e tij Shaqiri.

Marketing