Të gjitha tekstet për klasat e para, të dytë, të katërt, të pestë, të shtatë, të tetë dhe të nëntë dhe shumica e teksteve për klasat e treta dhe të gjashta do të dorëzohen në shkolla deri më 1 shtator. E në arsimin e mesëm pas një periudhe të gjatë do të kemi dorëzim të teksteve në ditën e parë të shkollës, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri.
Për klasat e treta dhe të gjashta janë duke u përgatitur tekste të reja sipas planprogrameve të reja nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZhA) dhe për këtë disa prej tyre pritet të vonohen.
“Shumica e teksteve të klasës së tretë, nga tre lëndë, do të dorëzohen më 1 shtator. Vetëm për një lëndë presim miratim, dmth mendimin e fundit nga Komisioni recensues, i cili do të jetë në fillim të shtatorit, por nuk mund të them datën e saktë. Për klasën e gjashtë, një pjesë e teksteve janë miratuar nga Komisioni Kombëtar dhe ne do të bëjmë çmos që ato të dorëzohen deri në fillim të vitit shkollor”, tha Shaqiri në një intervistë në TV Sitel.
Ai shtoi se vonesa nuk do të jetë si viti i kaluar shkollor që, sipas tij, “nuk ka qenë i lehtë” sepse ka pasur planprograme të reja për katër paralele. Ky vit shkollor do të jetë ndryshe theksoi Shaqiri, është duke u përgatitur që nga fillimi i këtij viti kalendarik. Programet e reja nga BZhA janë dorëzuar në dhjetor 2022 për klasën e tretë dhe në prill 2023 për klasën e gjashtë.
“Shumica e tyre tashmë janë miratuar. Nuk ishte i njëjti qëndrim nga viti i kaluar akademik kur programet ishin dorëzuar më vonë në Ministrinë e Arsimit”, tha Shaqiri, duke shtuar se janë miratuar edhe mbi 130 tituj në arsimin profesional.
Sa i përket afatit që i është dhënë Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Diskriminimit brenda dhjetë ditësh për t’i siguruar të gjitha tekstet shkollore për shkak të raportit për diskriminim të vazhdueshëm sistemik për vonesën nga viti i kaluar shkollor, Shaqiri tha se ai ka pasur një takim me kryetarin e Komisionit dhe kanë dorëzuar një shkresë për procedurat e Ministrisë së Arsimit dhe hapat e ndërmarrë vitin e kaluar për sigurimin e teksteve shkollore.
I pyetur se a ka mundësi që mësimdhënësit të bëjnë grevë për shkak se Këshilli i SASHK-së dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit nuk pranojnë rritje të pagave prej 10 për qind, Shaqiri është përgjigjur se “ka shumë arsye për të mos patur grevë”.
“Për të mos folur për 20 përqindëshin e mëparshëm, vetëm në vitin paraprak, një vit akademik, në arsimin fillor dhe të mesëm janë marrë 18.4 përqind paga më të larta. Me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive fitohet 10 përqind për të gjithë sektorin publik. Jemi në një fazë të avancuar diskutimi me sindikatat për të gjetur një mënyrë, përveç Marrëveshjes së përgjithshme kolektive, e cila mund të parashikohet edhe në pjesën e rritjes së pagës minimale. Me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive kemi rekurs për herë të parë në vitin 2023 dhe kjo do të ndodhë edhe në vitin 2024”, tha Shaqiri.
Ai po ashtu bëri të ditur se për të motivuar mësimdhënësit, me Ministrinë e Financave po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së shpenzimeve të udhëtimit të mësimdhënësve në kontratën e re kolektive dhe do të parashikohet distanca deri në/nga shkolla.