Ylli zviceran me origjinë shqiptare i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, në një intervistë me faqen zyrtare të Liverpoolit, i ka këshilluar tifozët e tij që të mos i lënë asnjë ditë anash stërvitjet e këmbëve, duke thënë se ato i kanë ndihmuar të luajnë më mirë në një ligë të vështirë si Premierliga.
Shaqiri ishte vendimtar në ndeshjen kundër Manchester Unitedit, kur u aktivizua në ndeshje vetëm nga minuta e 70-të, por arriti t’i shënojë dy gola, të cilat ia siguruan vendin e parë në tabelën e Premierligës skuadrës së Jurgen Kloppit, transmeton Gazeta Express.
“Sidomos këtu në Angli, është shumë e vështirë të luash në Premierligë dhe duhet të jesh më i fortë. Natyrisht, unë jam i lumtur, faleminderit Zotit, ai ma dha këtë aftësi ose këtë fuqi në këmbët e mia”, ka thënë Shaqiri.
“Kështu që unë e përdori këtë aftësi edhe në fushë, gjithashtu. Po, duken shumë të mëdha dhe janë të tilla. Shumë njerëz mendojnë se unë ushtroj gjatë gjithë ditës, por nuk është kështu”.
“Unë jam thjesht kështu dhe si ta them… Kurrë mos i lini anash stërvitjet e këmbëve”.
Shaqiri u transferua gjatë afatit kalimtar të verës nga Stoke City në Liverpool. Fillimisht ai mbeti në stol, mirëpo paraqitjet e tij bënë që ai ta fitojë besimin e trajnerit dhe dashurinë e tifozëve të Liverpoolit. /Gazeta Express/