Shaqiri: Sot nderohen mësimdhënësit dhe ngritet ndërgjegjja për rëndësinë e arsimit në gjuhën amtare

Dita e sotme është festë kombëtare, festë e çdo mësuesi, nxënësi dhe për çdo familje shqiptare. Me këtë ditë përkujtojmë hapjen e shkollës së parë me mësim në gjuhën shqipe e cila vendosi themelet e arsimit shqip. I respektojmë mësuesit tanë, ata që kanë dhënë dhe ata që ende japin sakrificë të mëdha derisa e realizojnë veprimtarinë më fisnike – arsimimin dhe edukimin e të gjithë brezave.

Marketing

Këtë e theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në shënimin e ditës së sotme të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit Shqiptar, që e organizoi Komuna e Çairit.

Në këtë ditë të vitit 1887 është përmbushur iniciativa e grupit prej 135 rilindas, ndërsa me shënimin e saj nderohen të gjithë mësimdhënësit dhe ngritet ndërgjegjja për rëndësinë e arsimit në gjuhën amtare, si dhe për rëndësinë e mësimdhënësve në zhvillimin e përgjithshëm të kombit.

Shaqiri tha se gjatë ditës së djeshme është takuar me disa mësimdhënës të shkollës fillore, të cilëve u ka shprehur mirënjohje për atë që kanë pasur ndikim të madh në ndërtimin e tij si person, ndërsa siç tha ai, i kujton shumë fjalë dhe fjali të tyre gjatë mësimit, të cilët për të paraqesin udhërrëfyes për jetën.

“Sot më shumë se kurrë personalisht e ndjej barrën dhe përgjegjësinë e rëndë të sigurohen kushte më të mira për arsim. Jam i vetëdijshëm se është më se e nevojshme të përpiqemi, por jam shumë optimist dhe besoj se hap pas hapi do të sigurojmë arsim edhe më të mirë për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme”, tha Shaqiri.