Ylli i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, ka zbuluar se ai e kishte marrë vendimin për t’u transferua në Liverpool sapo kishte dëgjuar se Kloppi dëshironte ta blinte atë gjatë afatit kalimtar të verës.
Kosovari me pasaportë zvicerane arriti ta sigurojë një transferim në Liverpool nga Stoke City gjatë verës, pasi ish-klubi i tij ra nga Premierliga në Championship, nivelin e dytë të futbollit në Angli. Shaqiri kishte qenë golashënuesi më i mirë në skuadrën e Stoke Cityt me tetë gola.
Fillimisht ishte vënë në dyshim nëse Shaqiri e kishte aftësinë dhe etikën e punës që kërkohet për të luajtur për një trajner si Jurgen Klopp. Megjithatë, në një intervistë pas njërës nga ndeshjet e këtij sezoni, Klopp kishte thënë se Shaqiri i ka kaluar pritshmëritë e tij.
“Pikë së pari, isha shumë i lumtur që po vija në këtë klub. Kalova kohë të mira dhe një vjet të keq me Stoke Coty, ku u zhgënjeva që ramë në Championship. E njoh ligën shumë mirë dhe isha shumë i lumtur që do të luaja për një klub kaq të madh”, ka thënë Shaqiri.
“Para disa vjetëve, isha afër transferimit në Liverpool, kur trajner ishte Brendan Rodgers. Ai më kishte telefonuar, ishte para Kupës së Botës 2014 dhe unë e dëshiroja këtë transferim. U mërzita që Bayern Munichu tha jo dhe unë u detyrova të qëndroj’.
“Ishte një gjë shumë e mirë kur dëgjova nga vëllai im se Liverpooli po më kërkonte përsëri. Natyrisht, isha shumë i lumtur kur dëgjova për këtë interesim. Unë i thashë vëllait tim: ‘Mos prano oferta nga asnjë klub tjetër sepse dua të punoj me Jurgen Kloppin’. Dhe në fund, kjo gjë ndodhi”.
27-vjeçari e dëshmoi veten qysh në ndeshjen e parë për klubin e tij të ri, kur e shënoi një gol në stilin gërshërë në ndeshjen kundër Manchester Unitedit në korrik. Vetëm disa ditë para se ta shënonte këtë gol, Shaqiri kishte bërë të ditur se ai ndiente që me Liverpoolin mund të fitonte gjithçka në botë.
Përkundër që ai nuk ishte aktivizuar në të gjitha ndeshjet e Liverpoolit këtë sezon, statistikat e tij dëshmojnë se kur Shaqirin luan me “treshen e madhe”, Mohamed Salahun, Sadio Manen dhe Roberto Firminon, askush nuk mund t’i ndalojë djelmoshat e Kloppit.
Kjo katërshe është kombinuar në tetë ndeshje të këtij sezoni dhe Liverpooli i ka fituar të gjitha ato. Jo vetëm që klubi anglez i ka fituar plot 24 pikë me këta lojtarë, gjatë këtyre ndeshje janë shënuar 22 gola, transmeton Gazeta Express.
Duke filluar nga fitorja kundër Fulhamit më 11 nëntor, zvicerani ishte titullar për pesë ndeshje radhazi me këtë formacion. Të gjitha këto ndeshje Liverpooli i fitoi, mirëpo pastaj Shaqiri mbeti në stol për ndeshjen kundër Manchester Unitedit.
Në minutën e 70-të, kur ndeshja ishte ende 1-1, Shaqiri u fut në lojë dhe i shënoi dy gola për t’ia siguruar kështu fitoren dhe vendin e parë në tabelën e Premierligës skuadrës së Jurgen Kloppit