Shau nënat shqiptare dhe fyu llogon e UÇK’së, dënohet me pesë muaj burgim dhe dëbim nga Kosova

Shpallja e aktgjykimit ndaj tij u bë të enjten nga gjykatësi i rastit, Kushtrim Shyti.

Sipas aktgjykimit, në dënimin e shqiptuar me burgim të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 22.07.2024, ndërsa do t’i vazhdohet edhe masa e paraburgimit nga dita e sotme deri sa ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm, por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar.

Po ashtu, gjykata ndaj të akuzuarit Zlaktoviq shqiptoi edhe dënimin plotësues – dëbim i të huajit nga territori i Republikës së Kosovës në kohëzgjatje prej pesë vite, mirëpo koha e mbajtur në burg nuk i llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi.

Gjithashtu, i akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 100 euro si dhe për Fondin e kompensimit e viktimave të krimit shumën prej 100 euro.

Ndërsa, kërkesë pasurore-juridike në këtë çështje penale nuk pati, kurse palët e pakënaqura kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese përmes kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit.

Pasi që gjykatësi përfundoi shpalljen e aktgjykimit, mbrojtësi i të akuzuarit Zlatkoviq, avokati Shyqyri Syla pyeti gjykatësin nëse dënimi i shqiptuar me burgim mund të zëvendësohet në dënim me gjobë, por këtë nuk e mundësoi gjykatësi Shyti.

“Ndihem fajtor dhe unë e kam pranuar menjëherë fajin tim, nuk ka qenë e qëllimshme nuk është dashur të ndodh kështu, por ka dal qysh ka dal dhe në fund pendohem për këtë që ka ndodhur”, tha i akuzuari Zlatkoviq.

Një deklarim të tillë, i akuzuari e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Fikrije Krasniqi-Fejzullahu raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk u kundërshtua nga prokurorja Krasniqi-Fejzullahu e as nga mbrojtësi i tij, avokati Shyqri Syla, të cilët i propozuan gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë.

“Duke pasur parasysh faktin që i pandehuri që nga fillimi i kësaj procedure penale e ka pranuar fajësinë dhe se i njëjti ka pasur vazhdimisht mbrojtje profesionale dhe mundësi konsultimi me të në njërën anë, e në anën tjetër edhe ky pranim fajësie përputhet edhe me provat tjera materiale që gjendjen në shkresat e lëndës, Prokuroria mendon që gjykata duhet të merr aktvendim mbi pranimin e fajësisë sepse i njëjti është i vullnetar dhe pa as njëlloj presioni”, tha prokurorja Krasniqi-Fejzullahu.

Edhe avokati Syla tha se i mbrojturi i tij pranimin e fajësisë e ka bërë me vullnetin e tij të lirë, pa presion, premtim apo joshje, duke kërkuar nga gjykata që një pranim i tillë të aprovohet.

Më pas, gjykatësi i rastit Kushtrim Shyti mori aktvendim me të cilin u aprovua pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit, pasi që sipas tij janë përmbushur kushtet ligjore për një pranim të tillë.

Lidhur me shqiptimin e sanksionit penal, avokati Syla kërkoi nga gjykata që me rastin e matjes dhe llojit të dënimit të merren parasysh edhe një mori rrethanash lehtësuese, duke propozuar që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet një dënim me gjobë ose dënim me burgim të cilin do ta zëvendësoj me gjobë, e me të cilin sipas tij do të arrihet në tërësi qëllimi i dënimit.

Si rrethana lehtësuese, avokati Syla përmendi faktin se i mbrojturi i tij është i moshës së re, është hera e parë që i njëjti është ndeshur me ligjin, pendimin e tij dhe premtimin se në të ardhmen nuk do të përsëri veprime të tilla.

Gjithashtu ai i propozoi gjykatës që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet edhe masa e paraburgimit duke konsideruar se kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar dhe vazhduar kjo masë.

Në anën tjetër, prokurorja Krasniqi-Fejzullahu tha se përveç rrethanave lehtësuese që sipas saj në këtë rast ekzistojnë, ajo kërkoi nga gjykata që të merret parasysh edhe rrethana rënduese, duke theksuar se fatkeqësisht lloji i kësaj vepre penale është shndërruar edhe në dukuri për faktin se këto veprime ndikojnë edhe në acarimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 16 gusht 2024, ka ngritur aktakuzë kundër Sasha Zlatkoviq, i cili akuzohet se me dashje ka nxitë, përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim në mes grupeve kombëtare.

Sipas aktakuzës, këto veprime i njëjti i ka bërë më 26 korrik 2024, në Deçan, derisa ai ishte duke lëvizur me veturën e tij të markës “Polo” dhe nga vetura e tij ka realizuar një video-incizim me telefon një veture para tij e tipit “Golf 3”, e cila prapa kishte të vendosur emblemën e UÇK-së, e më pas i njëjti iu kishte drejtuar me fjalët në gjuhën serbe (përkthyer shqip: “Shikoni se si terroristët e UÇK-së vozisin nëpër Deçan, njeriu ka stemën e UÇK-së, sikur me mbajt stemën e Zvezdës e Partizanit, jav q*** nënën shqiptarëve e stërvinave, e ishalla e godet dikush nga mbrapa”.

E këtë video-incizim, aktakuza thotë se e ka publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social “Tik-Tok”.

Me këto veprime, Zlatkoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, nga neni 141 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Marketing