SHBA, Britania e Franca lejojnë Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjata kundër Rusisë

Presidenti në largim i SHBA-së Joe Biden ka lejuar ukrainasit të bëjnë atë që kanë kërkuar prej muajsh – të godasin objektiva thellë brenda Rusisë me raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi, sipas tri burime të njohura me vendimin, një ndryshim ky i rëndësishëm në politikën e Shteteve të Bashkuara në konfliktin ukrainas-rus.

Marketing

Ukraina planifikon sulmet e para me rreze të gjatë në ditët në vijim, thanë burimet, të cilat pritet të kryhen në Kursk të Rusisë, ku rusët dhe veri-koreanët po sulmojnë brigadat elitare ukrainase.

Gazeta Le Figaro raporton se menjëherë pas SHBA-së, Britania e Madhe dhe Franca morën një vendim duke lejuar ukrainasit të sulmonin objektivat thellë në Rusi me raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi SCALP dhe Storm Shadow.

Një nga llojet e raketave që, pas vendimit të Joe Biden, mund të përdoret nga forcat ukrainase në caqet ushtarake thellë në Rusi, janë raketat amerikane ATACMS.

Sistemi raketor taktik ushtarak MGM-140 ose ATACMS është prodhuar nga Lockheed Martin. Këto raketa kanë një rreze veprimi deri në 300 kilometra dhe janë të vështira për t’u kapur për shkak të shpejtësisë së tyre të madhe. Shtetet e Bashkuara i dërguan këto armë si pjesë e një pakete mbështetëse, dhe ato tashmë janë përdorur të paktën një herë për të shënjestruar objektivat ruse në Krimenë e pushtuar.

Ato lejojnë Ukrainën të godasë më thellë në zonat e kontrolluara nga Rusia. Objektivat pritet të jenë bazat ushtarake ruse, magazinat dhe qendrat logjistike.

Vendimi i Joe Biden për të hequr kufizimet në përdorimin e armëve amerikane nga Ukraina është “i rëndësishëm në aspektin e përfundimit të luftës”, tha për Sky News analisti ushtarak dhe ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Nicholas Williams.

Ai tha se lëvizja e liderit amerikan është e rëndësishme kur bëhet fjalë për “përpjekjen e Ukrainës për të mos bërë lëshime të mëdha ndaj Rusisë për të arritur paqen”.

“Ukrainasit mund të thonë se është shumë pak vonë, por nuk është tepër vonë për të ndikuar në përfundimin e konfliktit.”

Ai tha se biseda e fundit e kancelarit gjerman Olaf Scholz me presidentin rus Vladimir Putin “nuk tregoi se lideri i Kremlinit është gati për kompromis dhe se kjo mund të ketë pasur ndikim në vendimin e sotëm.

Duke parë se çfarë do të thotë të lejosh ukrainasit të godasin raketat perëndimore thellë në Rusi, ai tha se Ukraina do të “shënjestronte objektiva ushtarake që mund të kenë ndikim në kufi ose në luftim”.

“Do të jenë qëllime ekskluzivisht ushtarake”, shtoi ai.

Putin nuk ka reaguar ende ndaj lejes së SHBA-së për raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi thellë brenda Rusisë, por në shtator paralajmëroi Perëndimin që të mos lejojë Ukrainën të godasë territorin rus, pasi Moska zyrtare do ta konsideronte këtë “si një pjesëmarrje direkte” të NATO-s në luftë” dhe “do të ndryshonte ndjeshëm natyrën e konfliktit”.

“Kjo do të thotë se vendet e NATO-s, SHBA-të dhe vendet evropiane po luftojnë me Rusinë”, tha Putin.

Marketing